INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Çështja e Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Vendet e BE-së kritike ndaj shkëmbimit të territoreve

Çështja e Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Vendet e BE-së kritike ndaj shkëmbimit të territoreve

Publikuar më: 14:49 31-08-2018

Disa shtete të BE-së, përfshirë edhe Gjermaninë janë shprehur kritike ndaj një shkëmbimi territoresh, sepse shohin aty probleme të tjera të pazgjidhura kufitare në Ballkan, duke hapur plagë të vjetra. Në takimin e sotëm të Vjenës ku është diskutuar çështja e Ballkanit Perëndimor, ministrat e jashtëm të BE-së kanë thënë se shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi nuk çon në drejtimin e duhur. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka thënë se: "Ne besojmë, që kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra në popull"


Edhe presidenca austriake e BE-së tregohet skeptike. Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl është shprehur:
"Ndryshimet e kufijve, sikurse e kemi parë herë pas here, nxjerrin probleme"

Ndërkohë dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se Shqipëria inkurajon vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një komunikimi për mediat ndërkombëtare në Austri ku mori pjesë në takimin informal të ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, ai tha se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura deri tani.Propozimi për shkëmbim territoresh parashikon, që pjesë të veriut të Kosovës të banuara me shumicë serbe t'i kalojnë republikës serbe. Në këmbim rajoni i Preshevës në jug të Serbisë me shumicë shqiptare t'i bashkohet Kosovës. Prej vitesh BE-ja përpiqet pa rezultat që të ndërmjetësojë mes fqinjëve në konflikt. Pajtimi me Kosovën është kushti kryesor, që Serbia si kandidate për anëtarësim në BE të afrohet edhe më shumë me Brukselin.

Article Logic
Execution time: 0.0038559436798096