25-vjetori i themelimit të Top Channel ishte një nga eventet më të diskutuara të fundjavës, jo vetëm për festën e madhe të organizuar me këtë rast, por edhe për personazhet që morën pjesë në të.
Si çdo vit, një prej televizioneve më të mëdha kombëtare u kujdes që përvjetori të festohej në mënyrë të veçantë, me një organizim që me siguri do të vijojë të komentohet edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Në këtë festë nuk munguan figurat themelore të kompanisë, që nga drejtuesit e deri te personazhet që i janë bashkuar së fundmi programacionit të larmishëm të Top Channel. Por këtë herë, festa nuk u kufizua vetëm në një mbrëmje me muzikë e argëtim. Për 25-vjetorin, stafi dhe personazhet e televizionit shijuan një fundjavë të plotë relaksi në bregdetin e bukur të Vlorës.
Detajet ishin menduar deri në imtësi. Të pranishmit ndanë në rrjetet sociale momente nga festa, ndërsa vëmendjen e morën edhe elementët e personalizuar, nga peshqirët me inicialet e secilit, te kapelet dhe bluzat me logon “Top Channel 25”.
