INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Banorët e Shtëpisë së të Moshuarve iu bashkuan aksionit për mbjelljen e pemëve

Banorët e Shtëpisë së të Moshuarve iu bashkuan aksionit për mbjelljen e pemëve

Publikuar më: 13:59 25-02-2018

Nuk ka rëndësi nëse je i ri apo i moshuar, i pasur apo i varfër, për të kontribuar për qytetin, që ai të bëhet sa më i jetueshëm për fëmijët. Gjestin më të bukur e kanë dhënë sot të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve te “Ali Demi”, të cilët së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbollën 10 pemë mimozash pranë Debatikut, në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

“Shumë herë njerëzit thonë: po mirë, gjithë këto pemë, vetëm të pasurit kontribuojnë? Por, e vërteta është krejt ndryshe: janë kryesisht njerëzit e thjeshtë; ata që kanë më pak, japin më shumë. Sot i jemi mirënjohës çdo kompanie që ka dhuruar pemë, po kur mendon që Shtëpia e të Moshuarve na jep 10 mimoza, pra gjithçka që kishte, na bën të kuptojmë se bujaria, zemërgjerësia, dashuria, nuk varet nga sa ke, por nga sa do të japësh”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai i falenderoi të gjithë të moshuarit që mbollën sot pemë për fëmijët e qytetit dhe theksoi se kjo është edhe një mënyrë e mirë për të kujtuar ngjarje apo apo shokët ose të afërmit që nuk jetojnë më. “U jam sot dhjetë herë mirënjohës për të dhjeta këto mimoza sepse besoj që lënë një kujtim për brezat e tjerë, një frymëzim për shumë të rinj që sot ndoshta e kanë me përtesë të çuarit nga kafja, ndoshta kanë alergji nga lopata, por kur kujtojmë që një gjeneratë ka bërë edhe luftën, edhe punën, në Shqipëri, edhe ndryshimin e sistemit dhe prapë gjen energji për t’i dhënë qytetit diçka mbrapsht, ky është ndoshta himni më i bukur i qytetit tonë”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se kur ka mbetur edhe më pak se një muaj nga 21 marsi, numri i pemëve të mbjella në këtë sezon ka arritur në 90 mijë. “Kemi edhe pak ditë për të kapur objektivin tonë me 100 mijë pemë, ndërkohë që sot sapo kemi kaluar 90 mijë. Nëse do të vazhdojmë me këto ritme, jo vetëm që do ta kalojmë më datën 21 mars, por do të kemi filluar realisht një trend. Ashtu si në vitet ‘90 apo 2000 ishin trend kafet, llotot, bastet, sot po fillon një trend i ri, gjelbërimi, biçikletat, sporti. Nëse do të vazhdojmë kështu do të jemi realisht europianë, siç dëshirojmë të jemi”, u shpreh Veliaj.

Drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve, Anila Peçi theksoi se ishte dëshira e të moshuarve që t’i bashkohen kësaj nisme për të dhënë kontributin e tyre modest edhe tani në pleqëri, për një qytet dhe shoqëri më të mirë. “Jemi këtu sepse ishte dëshira e të moshuarve për të përkrahur nismën tuaj dhe për mua kjo është një gjë shumë e madhe sepse kemi 3 vjet e gjysmë që punojmë fort, jo vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë një ditë. Mbjellja e 10 mimozave te parku është gjë e madhe dhe do të jetë kujtim shumë i bukur”, tha ajo.

Article Logic
Execution time: 0.0035200119018555