INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bamir Topi: Të zgjohemi, po e vrasim Tiranën!

Bamir Topi: Të zgjohemi, po e vrasim Tiranën!

Publikuar më: 13:03 29-05-2017

Bamir Topi, ish-presidenti i Republikës, i ftuar mbrëmë në emisionin “Procesi Sportiv” te Top Channel, foli në lidhje me rënien e Tiranës nga Superiorja, teksa analizoi edhe shkaqet e krizës.

“Akuza e parë shkon te menaxhimi katastrofik i Tiranës. Nuk dua të merrem me emra të përveçëm, por ne sot jemi në momentin post-mortum dhe ka mbetur vetëm ta qajmë Tiranën. Situata erdhi në mënyrë kronike, jo akute. Tirana erdhi duke u futur në një shtrat kronik, në rënie të vazhdueshme. Jam shumë i dëshpëruar, por edhe më të dëshpëruar gjithë legjendat bardheblu ndër vite, janë shumë njerëz që kanë dhënë kontribut të madh ndër vite te Tirana, kanë dhënë shumë e kanë marrë shumë pak, sepse luanin futboll e nuk shpërbleheshin, nuk kishin kushte, disa kishin probleme me biografinë”.

Topi thekson se për bardheblutë problemi lidhet me politikën, ndërkohë që bën thirrje që klubi të mos bëhet monopol, por të ketë shumë aksionerë dhe tiranasit ta shpëtojnë atë.

“Për mua, problemi i Tiranës në radhë të parë është politik. Së dyti, komuniteti është vyshkur, nuk ka më solidaritet, është shfrytëzuar nga politika dhe sot, pas 27 vitesh, kemi një Tiranë të themeluar në 1920 dhe që mbërrin në këtë dramë, sepse në Shkodër u ndeshën dy klubet themelues të futbollit shqiptar, që kanë furnizuar futbollin shqiptar dhe kombëtaren. Ndërkaq, kemi Kamzën, kemi Kukësin, por nuk kemi Besën, Elbasanin, Dinamon, tani edhe Tiranën”.

“Tiranën duhet ta shpëtojnë tiranasit, jo politikanët. Në Shkodër pashë një solidaritet të jashtëzakonshëm, mijëra tifozë për Vllazninë, ndërsa nga krahu tjetër 30 tifozë të Tiranës. Nuk mundet ta menaxhojë një njeri i vetëm Tiranën, nuk është e mundur. Duhet një grup specialistësh, një grup donatorësh, një klub me shumë aksionerë. Tirana nuk duhet të jetë monopol, u bëj thirrje të gjithëve të dalin nga letargjia, të zgjohen e të mendojnë për Tiranën, sepse po e vrasim këtë klub. Nuk është problemi vetëm te presidenti aktual, ai merret me menaxhimin e klubit, por ka edhe probleme të tjera, politike”.

Article Logic
Execution time: 0.0038161277770996