Pas reagimeve të shumta që shoqëruan një prej skeçeve të puntatës së parë të sezonit të ri të “Portokallisë”, Albano Bogdo ka folur publikisht për polemikat e krijuara.
I ftuar në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” me Alban Musën, aktori sqaroi se numri humoristik, i cili preku zhvillimet e fundit gjatë protestave në vend, nuk kishte për qëllim të shtonte apo deformonte atë që kishte ndodhur.
Bogdo u shpreh se kritikat ndaj skeçit, sipas tij, kanë ardhur kryesisht si pasojë e mënyrës se si është interpretuar përmbajtja e tij. Ai ishte i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij, duke thënë se disa prej reagimeve nuk lidhen me ndonjë keqkuptim real.
“ Ata që e kanë keqkuptuar nuk kanë keqkuptuar asgjë, thjesht gënjejnë njerëzit e thjeshtë”, deklaroi ai.
Aktori theksoi gjithashtu se e drejta për të protestuar nuk është vënë në diskutim dhe se, sipas tij, edhe humori duhet të ketë hapësirën e vet për të komentuar aktualitetin.
“Askush nuk ua ka mohuar të drejtën për të protestuar 130 ditë rresht. Por nuk mund t’u thuash humoristëve që të mos bëjnë humor për këtë gjë”, u shpreh Bogdo.
Duke iu drejtuar atyre që nuk e kanë pëlqyer skeçin, ai e përmblodhi qëndrimin e tij me një përgjigje të thjeshtë: “Në qoftë se nuk ju pëlqen humori, ndërroni kanal. Është kaq e thjeshtë”.
Gjatë intervistës, Bogdo foli edhe për reagimet negative që marrin programet humoristike në rrjetet sociale. Ai solli si shembull emisionet e humorit dhe “late night shows” në Shtetet e Bashkuara, ku kritikat dhe komentet negative janë gjithashtu pjesë e pandashme e diskutimeve online.
Sipas tij, nuk është e arsyeshme që një humorist të ndryshojë mënyrën e punës vetëm për t’iu përshtatur reagimeve të personave anonimë në internet.
“Në qoftë se do të ulesh të shikosh për çfarë kemi punuar gjithë javën dhe të qeshësh, ulu. Në qoftë se nuk të shijon, ndërro kanal”, tha ai.
Bogdo bëri të qartë se, pavarësisht polemikave, nuk ka ndërmend të ndryshojë qasjen e tij ndaj humorit për shkak të kritikave që vijnë në rrjetet sociale.
