INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Akademiku Ylli Popa ndahet nga jeta

Akademiku Ylli Popa ndahet nga jeta

Publikuar më: 10:39 16-08-2017

Një sëmundje kronike i morri jetën akademikut, Ylli Popa.  Intelektuali i mirënjohur, me veprimtari të shumëanshme, të shtrirë në më shumë se gjashtë dekada ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare.
 
Ja jeta dhe veprimitaria e tij e pasur:
Ylli Popa u lind në një familje me tradita intelektuale në qytetin e Elbasanit në vitin 1930. Pasi përfundoi studimet si normalist në qytetin e lindjes u diplomua si mjek në Bukuresht, në fushën e medikologjisë. Pas kthimit nga Rumania, për tre vjet me radhë drejtoi të parën katedër universitare të biokimisë në Shqipëri.
Me themelimin e Universitetit të Tiranës për një kohë të shkurtër u ngarkua të punonte në katedrën e sapokrijuar të terapisë spitalore. Ylli Popa është një prej mjekëve të parë shqiptarë që u specializuan për kardiologji përmes studimeve pasuniversitare. Gjatë viteve 1958-1961 ai ndërpreu mësimdhënien në Universitet dhe thelloi studimet mjekësore në Moskë. Me kthimin në Shqipëri, si mjek në spitalin klinik shtetëror nr. 1, bashkë me kolegë të tjerë, Ylli Popa u bë themelues i shkollës shqiptare të kardiologjisë, e cila pati vlerësime të larta edhe prej personalitetesh të larta të kësaj fushe në botë.
Shërbimi si mjek në rrjetin spitalor të vendit dhe mësimdhënia e kërkimi universitar janë dy shtylla paralele mbi të cilat u zhvillua veprimtaria shkencore dhe intelektuale e akademikut Ylli Popa. Duke qenë shef i pavijonit të kardiologjisë në shërbimin spitalor, në të njëjtën kohë drejtonte edhe katedrën universitare të propedeutikës, në krye të së cilës qendroi deri në vitin 1983. Nën drejtimin e tij u themelua e para katedër dhe i pari shërbim shqiptar i kardiokirurgjisë, të cilat i kryesoi deri në vitin 1993.
Autor e bashkautor i botimeve universitare Leksione të kardiologjisë dhe Kardiologjia, që njohën disa rishtypje, përgjatë më shumë se dy dekadave prof. dr. Ylli Popa la gjurmën e dijeve dhe të përvojës së tij serioze në disa breza mjekësh.
Atij i takon merita e përveçme që, qysh në vitin 1972, për herë të parë në shërbimin shëndetësor shqiptar dhe në veprimtarinë universitare të vendit zuri vend koncepti bashkëkohor i mjekësisë moderne mbi miokardiopatitë idiopatike.
Në veprimtarinë e tij të gjatë si mjek e si mësimdhënës, Ylli Popa e njohu jetën e popullit shqiptar nga majat dhe nga fundi, nga klinikat e udhëheqjes politike dhe nga fati i njeriut pa krahë, që tek mjeku shihte shpëtimtarin e jetës. Kjo njohje zgjeroi tek ai shqetësimin qytetar dhe fuqinë e mendimit intelektual.

Article Logic
Execution time: 0.0037338733673096