Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 330 testime, nga të cilat 50 raste kanë rezultuar pozitive me COVID-19.
Në komunikimin e përditshëm me publikun, dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 28 persona, duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
“Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë,
Një pacient 69 vjeçar nga Kruja me leukozë akute, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga Covid19. Pavarësisht mjekimit intensiv prej 10 ditësh dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit.
Në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.
Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë”, tha ajo.
COVID-19 – Statistika (19 Qershor 2020)
Testime totale 22806
Raste pozitive 1838
Raste të shëruara 1114
Raste Aktive 682
Humbje jete 42 (Qarku Tiranë 23, Durrës 8, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 317
Durrës 140
Shkodër 112
Vlorë 45
Fier 28
Lezhë 12
Elbasan 11
Korçë 10
Kukës 5
Gjirokastër 1
Berat 1
Prej rreth një jave Ministria e Shëndetësisë, përveç testeve me tamponë, përfshin në raportin e përgjithshëm të testeve për COVID-19 edhe testet serologjike.
Nga muaji shkurt e deri më sot autoritetet kanë kryer 19,876 teste me tamponë dhe 2,930 teste serologjike, për një total prej 22,806 testesh.