INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

4700 vdekje nga duhani. Publikohen shifrat tronditëse për Shqipërinë[VIDEO]

Publikuar më: 16:07 16-06-2017

Çdo vit më shumë se 4 700 njerëz  gjejnë vdekjen si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga prirja e duhanit, në Shqipëri.  Më shumë se 529.000 të rritur vazhdojnë të përdorin duhan çdo ditë. Sipas të dhënave të publikuara nga The Tabacco Atlas më shumë se 15.000 fëmijë konsumojnë duhan në Shqipëri. Të dhënat shqetësuese flasin për një rritje të epidemisë të duhanpirësve ndërkohë  që numri i vdekjeve të duhanit  rritet me kalimin e çdo viti. Duke ju referuar të dhënave të hartës së pirjes së duhanit, në vitin 2010 rezultoi se  në vendin tonë vdesin  24.1%  më shumë burrave që pijen duhan  sesa regjistrohen në vendet me të ardhura mesatare. 18.6% gra më shumë vdesin në Shqipëri sesa mesatarisht në vendet me të ardhura mesatare. Blerja e duhanit heq burimet ekonomike të familjeve që kanë nevojë të dalin nga varfëria. Një duhanpirësi në Shqipëri i duhet të shpenzojë 5.7% të të ardhurave mesatare kombëtare për të blerë 10 cigare të lira, për të pirë duhan çdo ditë! Të ardhurat e kombinuara të 6 kompanive më të mëdha të duhanit në botë në 2013 ishin 342 miliardë dollarë, 96% më të mëdha se të ardhurat Kombëtare Bruto të Shqipërisë.  Sipas të dhënave të vitit 2013, 38.4% e burrave shqiptarë konsumojnë duhan përditë. Katër për qind njerëz më shumë  pinë duhan në Shqipëri sesa në vendet me të ardhura mesatare. Edhe pse numri i femrave që pinë mesatarisht duhan në Shqipëri është më i ulët se sesa vendet me të ardhura mesatare, rezulton  se  50 mijë e 700 gra pinë cigare çdo ditë. Kjo është  shenjë e një kërcënimi të vazhdueshëm dhe të tmerrshëm të shëndetit publik. Studimet e fundit vlerësojnë se kostoja totale ekonomike e pirjes së duhanit në nivel global arrin në 2 trilion dollarë. Rreth 30% e këtyre kostove janë kostoja e drejtpërdrejtë e pirjes së duhanit: këto janë shpenzimet e lidhura me kujdesin shëndetësor të shkaktuara nga trajtimi i sëmundjeve.

Article Logic
Execution time: 0.0036489963531494