Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë.
“Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde”, tha Marjeta Dervishi, nga Instituti i Shëndetit Publik.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik.
Ndërkohë Hungaria ka vendosur t'i mbyllë kufirin Shqipërisë, duke e konsideruar vend me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e Covid-19.
Qeveria e kryeministrit Viktor Orban vendosi kthimin e kufizimeve për udhëtimet, vetëm 2 muaj pas heqjes së tyre, kur u hapën kufijtë për udhëtarët nga Bashkimi Evropian dhe të tjera vende jo anëtare.
Sipas rregullave të reja, shtetet do të kategorizohen në vende të verdha dhe të kuqe, sipas trendeve të përhapjes së Covid-19.
Përveç Shqipërisë, edhe shtetas nga Kosova, Mali i Zi dhe Ukraina nuk do të mund të udhëtojnë drejt Hungarisë, ndërsa nuk do të ketë probleme për udhëtarët nga Serbia, Bullgaria, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar apo Suedia.