INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
24 marsi i 1999-s, 17 vjet nga fillimi i çlirimit të Kosovës!

24 marsi i 1999-s, 17 vjet nga fillimi i çlirimit të Kosovës!

Publikuar më: 11:09 24-03-2016

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Sulmet filluan më 24 mars të vitit 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana.

Bombardimet mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, nga aviacioni i NATO-s, shënuan fillimin e përfundimit të agonisë së shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Serbisë.

Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe e pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Pas bombardimeve u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.

Mbi 12 mijë të vrarë, 2 mijë persona të pagjetur dhe mbi 800 mijë persona të dëbuar nga Kosova, ishte bilanci në njerëz i konfliktit në Kosovë.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Holokaustit, pati deklaruar se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Misioni paqëruajtës i NATO-s, KFOR-i, ende qëndron në Kosovë dhe ndihmon në transformimin e mëtutjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

Article Logic
Execution time: 0.0035529136657715