INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zgjedhjet ndaluan qeverinë të investojë më shumë në punët publike, tkurren paratë për të mirat e qytetarëve

Zgjedhjet ndaluan qeverinë të investojë më shumë në punët publike, tkurren paratë për të mirat e qytetarëve

Publikuar më: 12:08 28-08-2019

Vendi këtë vit ka pasur më pak investime publike në të mirë të qytetarëve. Edhe pse ishte një vit zgjedhor kjo nuk ka ndikuar që qeveria të shtojë ritmin e punimeve, përkundrazi.
Gjatë muajve janar-korrik të këtij viti janë 900 milionë lekë më pak të investuara krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për këtë vit planifikimi për investime publike të bërë nga qeveria ka qenë më i lartë. Por kjo nuk ka ndikuar në ritmin e punimeve. Niveli i realizimit të investimeve krahasuar me planifikimin ka rënë në 37 për qind, nga 40 që ishte në 7-mujorin e 2018. Në 7 muajt e parë të vitit qeveria ka çuar për investime një fond prej 33.8 miliardë lekësh dhe vetëm për muajin korrik janë disbursuar 4.4 miliardë lekë.

Ritmi i punëve publike të paguara ka rënë krahasuar me 3 muajt e parë të vitit ku janë disbursuar mesatarisht nga 5-7 miliardë lekë.
Pjesa më e madhe e përbën financimi i brendshëm, ndërsa ka një rënie të kontratave të paguara me rreth 2.3 miliardë lekë nga fondet që sigurohen me financim të huaj krahasuar me 7-mujorin 2018.
Në total, gjatë 2019-ës janë parashikuar që të shkojnë për investime, ku përfshihen punët publike, si ndërtimi apo rikonstruksioni i akseve rrugore, mirëmbajtja, ndërhyrja në qendrat e qyteteve apo të tjera të kësaj natyre, rreth 90.6 miliardë lekë.

Article Logic
Execution time: 0.0039160251617432