INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vrasja e shqiptarëve në Greqi, Tirana kërkon ‘llogari’

Vrasja e shqiptarëve në Greqi, Tirana kërkon ‘llogari’

Publikuar më: 15:17 05-12-2018

Vrasjet e shqiptarëve në Greqi nuk kanë kaluar në heshtje nga autoritetet shqiptare. Autoritetet shqiptarë janë shprehur të shqetësuara për ngjarjet e fundit në Greqi, ku vetëm në dy javë janë vrarë 4 shtetas shqiptarë. 

Ministria e Jashtme e Shqipërisë kërkon nga Athina që të mos vonojnë në zbardhjen e këtyre ngjarjeve dhe ndërkohë të frenojnë përpjekjeje e Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.
Ministria e Jashtme:
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është njoftuar nëpërmjet Ambasadës në Athinë se dje në mbrëmje, më datë 04.12.2018 në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak i datëlindjes 31.7.2000, lindur në Kavalla, Greqi.
MEPJ shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme.
Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre.
MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombësve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke.
MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj. Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane.
Në kushtet kur bashkëkombësit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t'i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi”.

Article Logic
Execution time: 0.0031139850616455