INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vetëm për një aryse Presidenti Ilir Meta refuzon Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave

Vetëm për një aryse Presidenti Ilir Meta refuzon Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave

Publikuar më: 12:13 12-07-2019

Presidenti Ilir Meta ka refuzuar Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave. Pasi ka bërë vlerësimet bazuar në ligjin për Akademinë e Shkencave, Meta vëren se, praktika e ndjekur për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave nuk është bërë konform ligjit. Ditën kur janë zhvilluar zgjedhjet, Skënder Gjinushi rezulton të ketë qenë ligjërisht Kryetar i Partisë Socialdemokrate. Sipas Metës, nëse një kandidat garon për tu bërë kreu i Akademisë së Shkencave, nuk duhet të ketë poste të rëndësishme politike.

“Sipas këtij informacioni më 24 maj 2019, ditë e realizimit të procesit zgjedhor për Kryetar të Akademisë së Shkencave, zoti Skënder Gjinushi ligjërisht figuron në postin drejtues të Kryetarit të Partisë Social Demokrate. Këtë cilësi, si Kryetar i PSD-së, zoti Skënder Gjinushi, e ka mbajtur edhe në çastin kur ka paraqitur kërkesën nr.89/15 prot., datë 10.05.2019 ku ka shprehur interesimin për të kandiduar për Kryetar të Akademisë së Shkencave. Për më tepër, në çastin e shprehjes së interesit për kandidim në datën 10 maj 2019, zoti Skënder Gjinushi, nuk kishte dhënë as dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të PSD-së, akt ky (dorëheqja) që është formalizuar 5 ditë më vonë, në datën 15.05.2019”, thuhet në argumentet e Presidentit.

Shkelje sipas Presidentit janë bërë që në momentet kur Gjinushi ka qenë anëtari i Akademisë, pasi ligji e ka të përcaktuar qartë se nëse një anëtar i rregullt mban pozicione drejtuese në parti, nuk i lejohet që të kandidojë në funksione drejtuese në Akademinë e Shkencës.

“Papajtueshmëria ligjore në ushtrimin e statusit si anëtar i rregull i Akademisë së Shkencave, e bën tërësisht procesin zgjedhor të pavlefshëm. Kjo, sepse çdo anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave që ka papajtueshmëri të statusit si anëtar i rregullt i saj me funksione drejtuese në parti politike, rrjedhimisht është në kushtet e ndalimit ligjor për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në funksionet drejtuese të Akademisë së Shkencave ku përfshihet dhe funksioni i Kryetarit”, sqarohet në dokumentin e Presidentit.

 

Article Logic
Execution time: 0.0038490295410156