INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: Tirana i shpëtoi përmbytjeve, një politikan i moçëm gënjeu për ca vota

Veliaj: Tirana i shpëtoi përmbytjeve, një politikan i moçëm gënjeu për ca vota

Publikuar më: 14:26 06-12-2017

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se qytetet duhet të jenë të përgatitura për të përballuar situata sikurse ajo e disa ditëve më parë si pasojë e reshjeve të dendura. Në fjalën e mbajtur në konsultën e parë publike për Planin e Veprimit për Qytetin e Gjelbër, ku në përfundim të këtij procesi kryeqyteti do të ketë plan të detajuar për transformimin e gjelbër të Tiranës, Veliaj theksoi se falë investimeve të realizuara në kohë, Tirana ia arriti që të përballojë me sukses edhe një situatë të tillë.

“Kur ne mendojmë që është nën kontroll, natyra na jep një shkundje të fortë për të thënë, jo, në fakt këto gjëra që ju bëtë për 27 vite nuk harrohen kaq kollaj dhe besoj që asnjë prej nesh nuk është naiv dhe të mendojë që kjo është vetëm produkt keqmenaxhimi. Ky është një shpagim , një hakmarrje e natyrës për një shpërdorim kolektiv që ne i kemi bërë natyrës këto 27 vite. Unë besoj që në historitë e fundit që ndodhën, pikërisht se filluam t’i diskutonim këto gjëra vjet, shkuan shumë më mirë sivjet. Disa histori si e famshmja zona e Don Boskos, ura e Shkozës, e famshmja Pallati me Shigjeta,Lana që fryhej e tejfryhej, lumi i Tiranës, njësia 4, njësia 8, njësia 9 fatmirësisht ecëm shumë shpejt me ato projekte”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cilësoi papërgjegjshmëri deklaratat e bëra nga përfaqësues të politikës për hapje të digës së Bovillës dhe të rezervuarëve duke sjellë përmbytje të zonës së Kasharit.
Kryebashkiaku Veliaj ironizoi duke thënë se politikanët, aq më tepër ata të moçëm, dhe që kanë drejtuar vendin, nuk duhet që të shfrytëzojnë situata të tilla për të përfituar vota.

Kreu i Bashkisë kritikoi edhe përfaqësues vendor të cilët pavarësisht se rezervuarët I kanë në njësinë e tyre dhe kanë përgjegjësi për administrimin, fajësuan Bashkinë e Tiranës, duke mos njohur as njësinë e tyre administrative.

Tirana është një nga dy qytetet e përzgjedhura në Europë nga BERZH për Planin e Veprimit për Qytetin e Gjelbër, që do të krijojë jo vetëm mundësinë e financimit, por edhe një qasje më të strukturuar ndaj problemeve kryesore mjedisore që qyteti ynë përballet çdo ditë për shkak të një historie të zhvillimit urban kaotik dhe mungesës së planifikimit strategjik e të integruar.

Article Logic
Execution time: 0.002964973449707