INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
UEFA “i bën gropën” Skënderbeut, e skualifikon me 10 vite, reagon zyrtarisht ekipi korçar dhe FSHF [FOTO]

UEFA “i bën gropën” Skënderbeut, e skualifikon me 10 vite, reagon zyrtarisht ekipi korçar dhe FSHF [FOTO]

Publikuar më: 21:05 29-03-2018

UEFA vendosi sot të përjashtojë për 10 vite Skënderbeun nga çdo kompeticion evropian si dhe e gjobiti me një milionë euro gjobë lidhur me çështjen e trukimeve.

Pas zbardhjes së vendimit, ka ardhur edhe reagimi i klubit korçar.

Përmes një deklarate për mediat, klubi i Skënderbeut e quan vendimin absurd.

Në deklaratë thuhet më tej se vendimi cënon kredibilitetin e UEFA-s ndërsa paralajmërohet apelimi.

Deklarata e plotë:

Sot, më datë 29 Mars 2018, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s shpalli vendimin për përjashtimin e KF Skënderbeut nga kompeticionet europiane për një periudhë 10 vjeçare dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro. Siç ishte paralajmëruar nga ana jonë më datë 21 Mars 2018, vendimi i organit juridik të UEFA-s pritej të ishte i tillë, pasi vetë procedimi në këtë institucion paraqet të meta serioze në lidhje me parimin e pavarësisë institucionale dhe garantimin e të drejtave proçedurale të palëve.

Përpara këtij vendimi, e vetmja mënyrë për KF Skënderbeun për të mbrojtur punën shembullore të klubit dhe krenarinë e komunitetit sportiv korçar e kombëtar mbetet apelimi në CAS dhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane. Është e qartë për të gjithë shqiptarët se drejtësia sportive e UEFA-s është tërësisht në funksion të interesave striktërisht private të këtij institucioni dhe të partnerëve të tij.

Krenarë për sukseset historike, të cilat janë produkt i meritave, mundit dhe sakrificave tona, KF Skënderbeu mbetet besimplotë se drejtësia e pavarur sportive ose civile do të konfirmojë pafajësinë tonë dhe do të rrëzojë vendimin absurd të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s. Çmojmë se e vetmja arritje e UEFA-s përmes këtij proçesi është vrasja e kredibilitetit dhe integritetit të këtij institucioni në komunitetin sportiv ndërkombëtar.

Zyra për shtyp! KF Skënderbeu

 

Edhe FSHF ka reaguar me një deklaratë për shtyp në faqen zyrtare:
“Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije opinionin publik se UEFA ka vënë në dijeni sot FSHF për vendimin e marrë nga ana e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë saj, për çështjen “Skënderbeu”. Sipas vendimit të marrë, ky Komision ka dënuar skuadrën e KF Skënderbeu me 10 vjet mospjesëmarrje në kompeticionet europiane të futbollit, shoqëruar me një sanksionin financiar prej 1 mln euro.Ky vendim është i apelueshëm. FSHF e konsideron këtë një lajm të keq për futbollin shqiptar, megjithëse ky nuk është një vendim përfundimtar, pasi do të kalojë edhe në shkallë të tjera të gjykimit. FSHF mbështet çdo vendim që i shërben integritetit të lojës dhe Fair-Play-t!”

 

Article Logic
Execution time: 0.0038440227508545