INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Truri dhe palca e shtyllës kurrizore

Truri dhe palca e shtyllës kurrizore

Publikuar më: 10:22 06-06-2018

Gjëja më me pak vlerë ndër ne sot,

por jo nesër!

Kohë të tjera do të vijnë!

Ja ashtu, hap pas hapi, milimetër pas milimetri,

arsyeja do te triumfojë mbi paditurinë,

e mira do ta shkatërrojë të keqen,

mendja do ta kontrollojë instinktin kolektiv,

analiza do ta shpartallojë propagandën manipuluese,

e vërteta do ta mundi gënjeshtrën,

kultura do të ngrihet lart dhe banaliteti i pluhurit, ndotjes të ajrit, baltës, e sotmja kancerogjene do të jetë një krim i shkuar,

morali do ta shpartallojë poshtërsinë,

shkenca do ta përdori si fëmijë çamarok politikën duke e drejtuar,

identiteti kombëtar do të ngrihet mbi braktisjen dhe vetëspastrimin e sotëm etnik në Shqipëri,

arsimi i vërtetë do ta çmontojë industrinë e ndyrë të diplomave si fletë fallco tapish pa vlerë,

nëpunësi do të jetë konfucian që njeh vetëm të drejtën, jo maliq me brekushe dhe kollaro, me duart në xhepat tona dhe me temena ndaj politikanit,

politikan nuk do të jetë demagogu i lagjeve tona nën hijen e kullave ndërtuar jo me llaç, por me korrupsion,

e drejta do ta përçmojë padrejtësinë,

prona do të jetë e të zotit, dhe jo rojtari i pronës të bëhet i zoti i saj,

elitat do të ngrihen mbi llumin prej turme ku duan t'i zhgërryejnë njëherë e mirë.

Memecit do t'i vijë goja!

Shurdhit do t'i vijë dëgjimi!

Të verbërit do t'i vijë shikimi!

Budallai do të fillojë të mendojë!

I fjeturi do të zgjohet!

Nuk i besoni ju këto,

Ju duken utopi, ëndërra?

E po mirë dijeni se unë iu besoj o miq!

I shoh tek vijnë andej nga errësira !

Nuk doni të lëvizni për t'a ndihmuar ardhjen e tyre?

Dijeni se ato do të vijnë edhe sikur ne të këtij brezi,

ne leshkot,

ne budallenjtë,

ne përtacët,

ne plangprishësit,

ne qylësat,

ne turpi i Evropës,

ne mosmirënjohësit e Shqipërisë të përjetshme,

ne që nuk duam dhe dimë as të bashkohemi në një liri kombëtare që na e kanë dhuruar,

ne pra,

të vazhdojmë të zhgryhemi në baltë e në llucë si derrat!

Por, poqese ne duam, atëhere gjithçka ndryshon brenda pak viteve!

Me leje të posaçme nga Artan Fuga.

Article Logic
Execution time: 0.0025348663330078