INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Trimat nga Tirana nuk e kanë frikë borxhin, korçarët dorëmbledhur. Po të tjerët?[VIDEO]

Publikuar më: 09:23 08-05-2018

Të marrësh kredi në kohët e sotme është e zakonshme, kur ke një punë të sigurt dhe ke nevojë për një banesë, makinë apo celular të ri. Më shumë guximtarë rezultojnë banorët e Tiranës, pasi sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për stokun e kredisë për individë sipas rretheve, tregojnë se huaja për banor në kryeqytet është 884 euro, gati tre herë më e lartë sesa qyteti i dytë që vjen më pas në listë, Durrësi.

Nëse i referohemi 3 mujorit të parë të 2018, në total, në Tiranë individët kanë për të kthyer në banka rreth 780 milionë euro. Më shumë në kryeqytet banorët që kanë marrë kredi i kanë shpenzuar për blerje banesash. Afro 70% të totalit e zë huaja për blerje banesash që llogaritet rreth 624 euro për frymë.
Kryeqytetasit nuk kursehen as për huanë konsumatore, e cila arrin në 214 euro për banorë dhe është sa dyfishi i qytetit të dytë që vjen pas në renditje, që është sërish Durrësi.
Në vend të dytë në rang kombëtar janë durrsakët që kanë 338 euro kredi për banor, 60% e të cilës ka shkuar për blerje banese.
Të tretën janë vlonjatët me 244 euro për frymë, ku sërish 60% e kësaj shume ka shkuar për të blerë një apartament.
Më pas vijnë shkodranët me 221 euro për frymë, 57% e të cilës është për blerje banese. Po korçarët rezultojnë më pak guximtarë, pasi janë më dorështrënguarit për të marrë një kredi. Ata kanë nivelin më të ulët të huadhënies në vendin tonë për individë për frymë, prej 142 eurosh, që është 6 herë më e ulët sesa e banorëve të kryeqytetit.

Article Logic
Execution time: 0.0035860538482666