INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tortë Çokollate dhe Limoni[FOTO]

Tortë Çokollate dhe Limoni[FOTO]

Publikuar më: 11:33 17-03-2018

Kjo tortë “sanduiç” është e frymëzuar nga një ëmbëlsirë e një kompanie të mirënjohur. Burrit im i pëlqen shumë si dhe është një opsion i mirë edhe për dy fëmijët e mi. Ky është versioni shtëpiak i kësaj ëmbëlsire. Më shumë tortë, më pak sheqer, pa kimikate të çuditshme = të gjithë janë të lumtur!
Kjo është një recetë shumë e lehtë për t’u bërë, por si zakonisht, ju rekomandoj ta lexoni të gjithë recetën para se të filloni.

Përbërësit e kekut:
45g gjalpë
80g qumësht
3 vezë (temperaturë ambienti)
125g sheqer
Majë e vogël kripe
125gr miell ëmbëlsirash
40g kakao pluhur
5g pluhur pjekjeje (baking powder)

Si ta gatuajmë kekun:
1. Ngroheni sobën në temperaturën 180°C (160°C për soba me ventilator)
2. Përgatisni tavën e pjekjes (25x40cm) *
3. Shkrini gjalpin në një tenxhere ose në sobë me mikrovalë.
4. Përzini së pari në një enë qumështin dhe gjalpin duke përdorur një rrahëse. Pastaj hidhni vezët dhe përzijini të gjitha së bashku derisa të gjitha të janë inkorporuar mirë.
5. Shtoni sheqerin dhe një majë kripe me përbërësit e mësipërm. Përzijini së bashku për një kohë të shkurtër.
6. Sitni së bashku miellin, kakaon dhe pluhurin e pjekjes. Më pas bashkojini me përbërësit e tjerë (qumështin, gjalpin, vezët, etj.) dhe përzijini derisa të keni një masë të butë.
7. Kur të jetë gati, hidheni këtë masë në tavën e pjekjes. Përhapeni me një lugë ose spatul në mënyrë që të keni një shtresë të niveluar mirë.
8. Piqeni për rreth 15 minuta. Nëse fusni një kruajtëse dhëmbësh në mes të kekut, ai duhet të dalë i pastër. Prisni 2 minuta dhe më pas hiqeni kekun nga tava dhe lëreni të ftohet.

* Lyjeni tavën me një shtresë të hollë vaji ose gjalpi dhe vendosni letër pjekjeje. Vaji e ndihmon letrën të ngjitet me tavën. Nëse letra del pak më shumë nga anët e tavës, do jetë me e lehtë për ta nxjerrë kekun nga tava.

Përbërësit e mbushjes:
500gr krem djathi (temperaturë ambienti)
1 lugë gjelle (15ml) lëng limoni
2 lugë gjelle (30ml) mjaltë (nëse mjalti është i ngrirë, ngroheni pak)
1 lugë lëkurë të grirë limoni
4 lugë gjelle (60 ml) krem për ëmbëlsira (italisht – panna da montare; anglisht – whipping cream)
1 lugë sheqer vanilje

Si ta përgatisim mbushjen:
1. Rrihni së bashku katër përbërësit e parë derisa të keni një masë të butë.
2. Në një enë tjetër rrihni kremin e ëmbëlsirave dhe shtoni sheqerin sapo kremi fillon të trashet.
3. Vazhdoni ta rrihni derisa të ketë formuar "maja" të buta. Ngrini rrahësen për të parë nëse janë krijuar "majat". Mos e rrihni më shumë. Maja e kulmit duhet të bjerë kur hiqni rrahësen.
4. Butësisht paloseni kremin në përzierjen e parë me një rrahëse deri sa të keni një masë të butë dhe ftoheni në frigorifer për të paktën 30 minuta.

Hapi i fundit – bashkimi:
1. Priteni kekun në mes. Përhapni mirë mbushjen në njërën prej gjysmave, pastaj vendosni sipër gjysmën tjetër të kekut.
2. Mbështilleni “sanduçin” tuaj me qese amballazhi dhe vendoseni në frigorifer gjatë natës ose për rreth 8 orë.
3. Kur të jetë gati, priteni në forma drejtkëndore (nëse është e nevojshme, më parë prisni pak nga anët që nuk janë të drejta). Fshijeni thikë midis prerjeve për një pamje të bukur dhe të pastër.

Shënim: Nëse ju pëlqen pak rrëmuja, mund ta përdorni mbushjen edhe sipër dhe anash kekut. Vetëm shtoni pak më shumë krem ëmbëlsirash kur të përgatisni mbushjen (rreth 200ml ose sipas shijes) dhe rriheni më shumë kësaj here derisa të bëhet një masë që nuk rrëshket nga luga.

Falenderojmë Jennifer McGinley për shkrimin e publikuar në intv.al

WhatsApp_Image_2018-03-17_at_11.26.44_1.jpeg

Article Logic
Execution time: 0.0039370059967041