INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Studimi: Ja pse studentët e universiteteve janë “nën presion”

Studimi: Ja pse studentët e universiteteve janë “nën presion”

Publikuar më: 20:40 10-01-2018

Një studim i prezantuar të mërkurën në Tiranë, zbuloi se korrupsioni është i pranishëm në arsimin e lartë në nivele shqetësuese dhe se një përqindje e lartë e studentëve ndihen nën presion për t’u bërë pjesë e aferave korruptive nga stafi akademik.
Studimi i kryer nga OJQ-ja “Qëndresa Qytetare”, një organizatë e përqendruar te roli i shoqërisë civile në llogaridhënien e autoriteteve, u bazua te anketimi i 277 studentëve në fakultete të ndryshme në Tiranë, Elbasan dhe Durrës për të kuptuar nivelin, perceptimin dhe format e korrupsionit në këto universitete kryesore në Shqipëri.

Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan kishte normën më të lartë të pranisë së korrupsionit (77 për qind), pasuar nga Universiteti i Tiranës (62 për qind) dhe ai i Durrësit (42 për qind), sipas pikëpamjeve të studentëve.

Të anketuarit pohojnë se forma më e përhapur e korrupsionit është pagesa në shkëmbim të notës, pasuar nga detyrimi për blerjen e librave të panevojshëm dhe së fundmi, nepotizëm dhe kërkesa për favore seksuale nga stafi akademik.

“Kjo është një tryezë alarmi për arsimin e lartë. Nuk mund të lejojmë që të ketë korrupsion në sistemin arsimor,” tha Rigles Xhemollari, drejtues i Qëndresës Qytetare, duke shtuar se blerja e notës me para e kthen universitetin në pazar.

Xhemollari shtoi se i takon studentëve të ndershëm të denoncojnë me forcë çdo pedagog dhe u bëri thirrje atyre që të luftojnë me vetveten për të mos e blerë konkurrencën brenda universitetit.

“Pedagogëve u bëj një pyetje,” tha ai, “keni hyrë në universitet si tregtar apo edukues?” përfundoi Xhemollari.

Plot 95 për qind e studentëve të anketuar dëshmuan se rastet e korrupsionit në universitetet e tyre janë anashkaluar duke mbetur të paadresuara.

Po ashtu, duket se presioni për t’u përfshirë në raste korruptive është ushtruar në 87 për qind të studentëve, presion ky i ardhur nga pedagogu, stafi akademik apo sekserët e tjerë.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë (neni 259) e dënon me burg nga dy deri në tetë vjet korrupsionin pasiv të personave që mbarin funksione publike.

Një zbulim tjetër shqetësues për korrupsionin në arsimin e lartë publik, duket se është masa e tolerimit të tij nga studentët, të cilët e shohin si të tolerueshëm (13 për qind) dhe nuk e dënojnë hapur (23 për qind).

Shqetësimi kryesor i studentëve në lidhje me korrupsionin në arsimin e lartë duket se është krijimi i kushteve të pabarabarta mes studentëve, demotivimi i tyre për të studiuar, krijimin e shoqërisë së padrejtë e favorizuese dhe shtrembërim të tregut të punës.

Rekomandimet e studimit përfshijnë ashpërsim të masave ligjore dhe institucionale ndaj pedagogëve për korrupsion pasiv.

“Duhet të krijohen zyra të posaçme për adresimin e korrupsionit në nivel universiteti”, sugjeron raporti. Po ashtu, hartuesit këshillojnë që Ministria e Arsimit të kryejë kontrolle periodike përmes anketave te studentët dhe kontaktit me zyrat e administratës./Reporter.al/

Article Logic
Execution time: 0.0038349628448486