INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqipëria nuk di të fitojë, ndalet në ''PAQE'' me Jordaninë! [VIDEO]

Shqipëria nuk di të fitojë, ndalet në ''PAQE'' me Jordaninë! [VIDEO]

Publikuar më: 21:00 10-10-2018

Shqipëria nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë e drejtuar nga Christian Panucci kanë zhgënjyer duke zhvilluar një lojë të dobët, ndaj një kundërshtari modest. Sfida nuk nisi mirë për Shqipërinë, teksa sinjalin e parë e dhanë miqtë me Bakheet, i cili depërton mjaft mirë në zonë, por goditja e tij është për t’u harruar. Në krahun tjetër Mihaj ishte i pafat në debutimin me kuqezinjtë, pasi u detyrua të braktiste fushën e lojës që në minutën e 6-të, pas një dëmtimi në kavilie. Kuqezinjtë japin sinjalin e parë në minutën e 11-të me Grezdën, i cili godet jashtë kuadratit pas një pasimi nga Gavazaj, ndërkohë që disa sekonda më pas vonohet në goditje edhe pse ishte në një pozicion të favorshëm.

Në minutën e 23-të pas një këmbëngulje të Xhakës dhe Grezdës në krahun e majtë, Lila në fund goditi në hyrje të zonës, por tentativa e tij është ndalur nga mbrojtja mike. 2 minuta më pas Grezda rrëzohet brenda zonës nga një ndërhyrje e Khattab, por arbitri vijoi lojën. Në minutat në vijim, loja është e balancuar, teksa Panucci nuk ka mbetur aspak i kënaqur me futbollistët, duke u bërë shenjë që të sulmojnë më shumë. Në minutën e 44-t vjen aksioni më i mirë i pjesës së parë me Binakun, i cili depërtoi mjaft mirë në krahun e majtë, krosoi në zonë, por goditja e Manaj me të majtën u ndal lehtësisht nga portieri Yaseen.

Pjesa e dytë nisi menjëherë me tre zëvendësime nga trajneri Panucci. Xhakam Grezda dhe Ramadani lanë fushën e lojës për Balajn, Noj si dhe Uzunin, teksa për këtë të fundit ky është një debutim absolut me kombëtaren. Menjëherë që në start Manaj provoi me një goditje të fortë në hyrje të zonës, por sfera përfundoi jashtë portës së jordanezëve. Në minutën e 52-të, Balaj godet fluturimthi pas një goditje nga këndi, por portieri Yaseen është i vëmendshëm duke larguar topin në goditje nga këndi. Kundërpërgjigja e Jordanisë vjen në minutën e 58-të me Bakheet, i cili tentoi të befasonte Berishën me një goditje-krosim.

Në minutën e 63-të, Veseli përfitoi nga rrëmuja në zonën e Jordanisë për të provuar, por goditja e tij është shumë e lehtë për portierin. Në minutën e 70-të Rey Manaj provon dy herë në hyrje të zonës, por në të dyja rastet bllokohet në zonë nga mbrojtja jordaneze. Në minutën e 85-të pas një kombinimi të mirë në hyrje të zonës, Uzuni provoi me një goditje të fortë, por tentativa e sulmuesit debutues u ndal në shtyllën e majtë të portierit Yaseen. Kuqezinjtë provuan që të ndërtonin aksione sulmuese në minutat e fundit, por e kishin të vështirë edhe falë agresivitetit të jordanezëve. Në sekondat e fundit Balaj kishte një shans të artë pas një goditje me këndi, por sfera përfundoi jashtë kuadratit.

uzuni from Vimeointv.al on Vimeo.

Article Logic
Execution time: 0.0016121864318848