INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shkëmbimi i territoreve ''Kosovë-Serbi'', flet për herë të parë kryeministri Rama, reagon edhe Berisha

Shkëmbimi i territoreve ''Kosovë-Serbi'', flet për herë të parë kryeministri Rama, reagon edhe Berisha

Publikuar më: 20:45 13-09-2018

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për çshtjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat ai i ka bërë gjatë emisionit ‘Open’ të Eni Vasilit në Top Channel. E teksa gazetarja Eni Vasili e pyeti se përse ai ka vendosur të heshtë, Rama u përgjigj se ai ka folur sa herë që ka qenë e nevojshme për Kosovën, por jo në emër të saj.

“Besoj që nuk bëhet fjalë për një çështje të ditës, por të historisë sonë të përbashkë. Por i takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarë që më takon të flas dhe të bëj komentatorin sepse njëra anë në Kosovë ka një debat mbi një ide dhe jo mbi një platformë. Ndjej detyrimin që të respektoj deri në fund Kosovën dhe autoritetet e saj. Isha shumë i qartë kur thashë se kam folur dhe do flas sa herë është e nevojshme për Kosovën dhe as kam folur dhe as do flas në emër të Kosovës.”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama u shpreh se çështja e kufirit është mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar.

“Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Kjo është një çështje ku luhet fati jo i Kosovës, por i kombit shqiptar dhe mund të bëhen gabime shumë të rënda”, u shpreh Rama.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe ish-kryeministri Berisha, por nga një studio tjetër, pikërisht ajo e Opionin, ku u rikthye pas 5 vitesh.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përkrahur idenë e vijueshmërisë së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, por është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve. Ish-lideri i demokratëve theksoi se marrëveshjet duhet të respektojnë sovranitetin e dy vendeve.

I ftuar në emisionin “Opinion” Berisha tha se problemi i vërtetë janë mazhorancat në këtë rajon, dhe jo minoritetet.

“Nuk jam kundër një marrëveshje. Kam mbështetur, mbështes dhe do mbështes një marrëveshje. E konsideroj shumë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Marrëveshja në konceptin tim duhet të jetë një marrëveshje mes dy vendeve sovrane që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial mes dy vendeve. Është jashtë çdo lloj koncepti europian. Ballkani është më i pasur se çdo rajon tjetër me minoritete. Problemet nuk janë minoritetet, por janë mazhoranca. Pse e ka Serbia dhe Rusia këtë përqendrim kaq të madh në Mitrovicë? I kujt ishte projekti i shkëmbimit? Projekti është i Beogradit”, tha ai.

Article Logic
Execution time: 0.003899097442627