INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Senatori italian bën bashkë Metën, Bashën dhe Berishën në Presidencë

Senatori italian bën bashkë Metën, Bashën dhe Berishën në Presidencë

Publikuar më: 12:01 23-04-2018

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordon senatorit Pier Ferdinando Casini dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, në një ceremoninë të organizuar në Presidencë ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Italisë, Cutillo. Në ceremoni morën pjesë edhe liderët politikë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha e deputetë. Presidenti Meta vlerësoi senatorin Casani si një nga personalitetet më të shquara të politikës italiane që ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare e forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. “Senator Casini, një politikan i shquar italian e mik i provuar të Shqipërisë. Mirënjohjen e sinqertë këtij politikani të shquar italian dhe evropian. Casini ka mbështetur fuqishëm zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj euroatlantik. Mirënjohja jonë është veçanërisht e thellë për këtë politikan të moderuar simbol i dialogut, shembull i tolerancës e civilizimit. Casini përfaqësues europianist i bindur në vlerat e lirisë, drejtësisë e solidaritetit. Senatori Casini është një prej personaliteteve më të shquara të politikës italiane”-tha kreu i shtetit. Mëe tej ai shtoi se Casini ka ndikuar dukshëm e vazhdimisht në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. “Senatori Casini ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare e forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. Casini ka qenë mbështetës aktiv i angazhimit të Italisë në të gjitha operacionet humanitare në Shqipëri. Casini avokat për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe rajonin”-deklaroi Meta. Më tej presidenti vlerësoi Casinin si një nga mbështetësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit tonë. Italia është partner i pazëvendësueshëm strategjik për Shqipërinë. “Marrëdhëniet midis dy vendeve janë të veçanta, shtrihen në shekuj, janë shumë planëshe e jashtëzakonisht njerëzore. Dimensioni politik dhe ekonomik i tyre janë në rritje dhe në interes të të ardhmes të dy vendeve. Italia është partneri kryesor e i pazëvendësueshëm, tradicional e natyral ekonomiko-tregtar. Një Itali e fortë, e qëndrueshme dhe e begatë është e rëndësishme për një Shqipëri më të zhvilluar dhe të begatë. Senatori Casini përfaqëson disa nga vlerat më të spikatura pozitive të popullit dhe kombit italian. Në këtë vit të Skënderbeut, intensifikimi i kontakteve dhe ngjarjeve politike, historike dhe kulturore me Italinë është i veçantë”-u shpreh Meta. Ai shprehu mirënjohjen e thellë për Italinë e në mënyrë të veçantë për Senatorin Casini, e përkushtimin e tij personal për forcimin e miqësisë italo-shqiptare. “Pas viteve 90’ Italia mirëpriti dhjetëra mijëra emigrantë të dëshpëruar, ndërsa sot atje janë të mirë-integruar mbi 500 mijë shqiptarë të cilët japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Shqiptarët në Itali kanë treguar aftësitë dhe talentin e tyre kudo në punë, sipërmarrje, sport, kulturë. Mjafton të përmendim edhe fituesin e fundit të Sanremos, Ermal Metën, për të kuptuar se sa të forta, të ndërlidhura, të pandashme e të natyrshme janë marrëdhëniet shqiptaro-italiane sot”-tha kreu i shtetit gjatë ceremonisë.

Article Logic
Execution time: 0.0037310123443604