INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rriten ndjeshëm kreditë e këqija! Më problematiket ato në valutë

Rriten ndjeshëm kreditë e këqija! Më problematiket ato në valutë

Publikuar më: 11:22 11-04-2019

Kreditë që nuk kthehen brenda afateve nëpër banka kanë shënuar rritje në dy muajt e parë të vitit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i huave me probleme u rrit në 11.41% në shkurt, nga 11.34 që ishte në janar. Në vlerë absolute, në shkurt huatë e pakthyera në afat ishin gati 62 miliardë lekë, nga 59 miliardë lekë në dhjetor 2018, duke u rritur me 2.7 miliardë lekë.
Në fund të vitit niveli i kredive me probleme ulet për shkak se bankat fshijnë nga bilancet huatë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, po kjo nuk u arrit që të ruhej në fillimin e 2019-s.
Banka e Shqipërisë ka pohuar në raportin vjetor 2018, se kreditë me problem janë rreziku kryesor i aktivitetit të sektorit bankar dhe financiar, por ky rrezik ka ardhur duke u zbutur gjatë vitit 2018, si pasojë e masave të marra nga bankat për të fshirë dhe ristrukturuar kreditë e këqija dhe si rezultat i forcimit të monitorimit të rrezikut për kreditimin e bizneseve gjatë viteve të fundit.
Në fund të vitit 2018 raporti i kredive me probleme shënonte 11.1% nga 13.2% që ishte në 2017, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me 20%. Përmirësimi më i madh në cilësinë e kredisë është regjistruar në kredinë në lekë, në atë për bizneset, atë afatgjatë dhe kredinë për sektorin e tregtisë. Kredia për bizneset dhe kredia në valutë vijojnë të kenë cilësi më të dobët në krahasim me kredinë për individët dhe kredinë në monedhën vendase.

Article Logic
Execution time: 0.0023429393768311