INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Reportazhi i Rai 2: Shqipëria  nën ''pushtetin'' e drogës, protestave dhe votave të blera

Reportazhi i Rai 2: Shqipëria nën ''pushtetin'' e drogës, protestave dhe votave të blera

Publikuar më: 18:20 24-03-2019

Protestat e opozitës dhe situata e krijuar në Shqipëri kanë sjellë këtu një grup xhirimi të TG2, të cilët kanë bërë edhe një reportazh për trafikun e armëve dhe drogës pjesë e rubrikës “Dossier” në Rai2. Reportazhi i gazetarit Leonardo Zelino zgjat 47 minuta dhe mban titullin “Shqipëria rajoni 21-të i Italisë”.

Reportazhi nis me Iglin nga Shijaku, një person që flet me shpinë dhe tregon një kallashnikov dhe një sasi droge, të cilat trafikohen më pas drejt Italisë. Ndërsa tregon mënyrën se si shkojnë në Itali, ai thotë se kjo armë përdoret për të mbrojtur plantacionet e marijuanës, por edhe për të vrarë njerëzit nëse është e nevojshme. Ndërsa drogë, plotë 10 kg e mban në shtëpi që ta provojnë klientët.

Reportazhi bën më pas një histori të shkurtër të Shqipërisë, vendit të shqiponjave që pas rënies së regjimit komunizmit nisi të çonte emigrantë në brigjet italiane përmes Adriatikut, për tu kthyer më në rrugë trafiqesh, që nis me cigaret dhe vazhdon me trafikun e drogës.

“Nëse kontrabanda mori një goditje të fortë në vitet 2000, trafiku i drogës nuk është ndalur asnjëherë madje Adriatiku është bërë autostrada e trafikantëve. Sipas raportit të Europol 2017, Shqipëria është laboratori kryesor për kultivimin dhe trafikimin e marijuanës. Për kontinentin e vjetër ajo është një lloj Kolumbie e drogës”,- citohet në reportazhin e Rai2.

Në luftë me kanabisin përmendet operacioni i ndërhyrjes së policisë në Lazarat, gjë e cila ndonëse e largoi që aty, bëri që kultivimi të përhapjen në gjithë territorin e vendit. Për rezultatet e arritura ka folur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu sipas të cilit shifrat e 2018-ës janë më të mirat e 30 viteve të fundit. Veliu thotë se janë gjetur vetëm pak plantacione ndërsa janë bërë qindra orë fluturime së bashku me GDF dhe janë gjetur vetëm 600 rrënjë të kultivuara.

Më pas gazetari italian i ka shkuar në zyrë ish-kryeministrit Sali Berisha. “Doktori” thotë ai hodhi poshtë shifrat e kreut të policisë. “Importi i bananeve është dhjetëfishuar. Brenda kontenierëve të bananeve ose ka banane, ose ka diçka tjetër” – thotë Berisha. Sipas tij “nëse plantacionet në fusha janë pakësuar janë shtuar ato në sera pasi çdo javë tonelata të tëra shkojnë në Itali, ose në Turqi për tu shkëmbyer me heroinë, apo Greqisë”.
Ndërkohë citohen edhe autoritetet italiane të cilat thonë se shqiptarët kanë marrë lidershipin e drogërave të forta në Europë.

Më pas gazetarët rikthehen në Shijak, zonën që e konsiderojnë se vendin e “Avdylajve: një grup kriminal që u godit pak pas zgjedhjeve të 2017-ës. Dossier nxjerr në pah edhe përgjimet e prokurorisë për vëllezërit Avdylaj që tekefonohen nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako për ta falënderuar për votat e mbledhura në zgjedhje.
Më pas njeriu që kanë zgjedhur, trafikanti i drogës igli thotë se me drogë bëhen para dhe me para blihen vota. “A ndodhi kështu në zgjedhjet e fundit? Kështu do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme” – thotë ai.

Dokumentari përqendrohet më pas te protestat e opozitës, largimet e ministrave të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj për shkak të problemeve të familjarëve, por edhe akuzave për drogën.

Reportazhi vazhdon me zërin e protestuesve që s’kanë më besim tek qeveria, e cila sipas tyre arrin t’i blejë zgjedhjet tek deklarata e kreut të PD-së Lulzim Basha, ish-deputetit Agron Shehaj, etj.

“Zgjedhjet u blenë. Raporti i ministrave teknikë përpara zgjedhjeve të fundit, thonë këtë gjë. Tani ka prova të prokurorisë që këtë e bëri qeveria e Partisë Socialiste me bashkëpunimin me bandat kriminale. Nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci dhe shtet të së drejtës” – thotë Lulzim Basha.

Më tej citohet edhe kryeministri Rama: “Rregullat në demokraci janë të qartë. Është sovrani, populli që është ligji, ka një mandat për ta respektuar dhe nuk mund të vihet në diskutim nga minorancë që ka të gjitha të drejtat të diskutojë se çfarë mendon, or nuk ka të drejtë të imponojë asgjë” – i përgjigjet kryeministri Edi Rama.

“Blerja e votës. Po ka ekzistuar ashtu siç ka në Itali, apo në vende të tjera, por që blerja e votës të vendosë zgjedhjet, kjo nuk ekziston” – thotë Rama.

Një opinion për situatën politike ka dhënë edhe gazetari Artur Zheji, po ashtu një dëshmi të tijën ka dhënë edhe analisti Fatos Lubonja. Ky i fundit tregoi historinë e tij se si u dënua gjatë regjimit vetëm se shkruante poezi.

Article Logic
Execution time: 0.0022048950195312