INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Regjisori amerikan Justin Anderson sjell 'Nata e dymbëdhjetë'. Shkëlzen Berisha tregon detaje e shfaqes [FOTO]

Regjisori amerikan Justin Anderson sjell 'Nata e dymbëdhjetë'. Shkëlzen Berisha tregon detaje e shfaqes [FOTO]

Publikuar më: 13:58 09-12-2017

Autori më me ndikim në të gjithë dramaturgjinë botërore, Uilliam Shekspir do të vijë për të parën herë në skenën e Metropolit në sezonin Dimër 2017, me shfaqjen “Nata e Dymbëdhjetë” nga regjizori amerikanë Justin Anderson.

Në një intervistë Shkelzen Berisha, aktori i shfaqes tregonë me detaje çfarë është “Nata 12”.

1.PNG

1 – Çfarë është “Nata 12”

Nata e 12 është një komedi, të cilën Shekspiri besohet se e shkroi rreth vitit 1601, por e sjell sot para publikut të kryeqytetit. Kjo shfaqje është një realizim mjaft i veçantë, menduar si nevojë për të perceptuar pozitën e të tjerëve përkundrejt vetes dhe anasjelltas. Që nga data 06 Dhjetor, në Teatrin Metropol, ka nisur një prezantim mjaft i veçantë, një lidhje ngjarjesh e situatash që mund të kenë ndodhur në Shqiptarinë e shek. XIX, përbrenda një koncepti shumë interesant estetiko-skenik nga regjisori amerikan, Justin Anderson, interpretuar në gjuhë të ndryshme dialektore nga aktorë që eksplorojnë mjetet e 2017-ës, për të përçuar tek publiku atë që një anglez e shkroi para më shumë se 400 vitesh... Me pak fjalë, “Nata e 12” sot në Teatrin Metropol është një manifestim i veçantë kulturor e artistik.
2- Çfarë ka dashur të thotë autori në këtë shfaqje?

Kjo vepër e Shekspirit është krijuar si eksplorim i brengave që sjell dashuria, herë në formën e dëshirës, herë të mungesës, herë të vetëplotësimit, herë të boshllëkut. Dashuria, kjo çështje e komplikuar vjen me gjuhë teatrore në këtë komedi romantike edhe si arritje, por edhe si dështim. Personazhi që unë kam sjellë në skenë (Sër Endrju, apo Endru Aga) është përfaqësues i kësaj të fundit, një njeri me para nga familja dhe me pak njohuri për botën e jetën. I gatshëm të martohet, sepse kështu e kërkon ambicia familjare, por i paaftë për ta përjetuar dhe realizuar dashurinë. Një personazh që në kontrastet e sjelljeve dhe përplasjeve me të tjerët, sipas atyre që e ndoqën shfaqjen “të shkrinte gazit e nuk të hiqej nga mendja!”. Çështjet e identitetit (të ngatërresës dhe të mungesës) mendoj që janë të theksuara në këtë shfaqje, atë identitet që njeriu e ka të paplotësuar nëse nuk është i aftë të dojë e ta duan.

3- A ishte ky një projekt sfidues për ta vënë në skenë?
Ndoshta përgjigje më të përmbledhur për këtë pyetje do të jepnin regjisori dhe producentja e shfaqjes, megjithatë po mundohem të jap një mendim sa i përket pjesës sime. Në këndvështrimin tim çdo realizim teatror është një ndërmarrje sfiduese, nëse trajtohet si kërkim. Dhe këtë punë , të gjithë e kemi trajtuar si të tillë. Që nga hulumtimi i traditës së kohës në të cilën u vendos të sillej, tek hulumtimi i formave të ndryshme të aktrimit (sepse stafi është relativisht i madh dhe me larmi grupmoshe), tek kërkimi i dialekteve, ndërthurja e muzikës me vallen dhe fjalën si forma vepruese që i japin shfaqjes dinamikë të pëlqyeshme për publikun.

2.PNG

4- Sa kohë u është dashur për ta vënë në skenë këtë shfaqje?
Rreth gjashtë javë.

5- Si e ka pritur publiku këtë shfaqje?

Publiku e ka ndjekur me kënaqësi shfaqjen duke shprehur në pushimin e ndërmjetëm dhe në takimet e fundshfaqjes përgëzime dhe dëshirën për ta riparë. Ky reagim për ne, të them të drejtën, është vlerësim që na çmon punën dhe lodhjen, por edhe na vë para përgjegjësive për kërkime dhe realizime të reja. Teatri i Metropolit, si një Teatër i Qytetit dhe me synime komunitare, i ka në qendër të vëmendjes nevojat dhe vlerësimin e publikut, të cilët nga kjo shfaqje kanë dalë me energjinë dhe ngacmimin që krijon thyerja e zemrës dhe e qeshura me lot, njëkohësisht. Njerëzit kur largoheshin përpiqeshin të identifikonin miq e të afërm që ngjasonin me personazhet dhe ky është tregues se publikun më së shpejti e prekin sjellje dhe vlera që i ka të njohura e se përveç argëtimit shfaqja i ka prekur edhe mendimin.

Article Logic
Execution time: 0.0034511089324951