INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Qëndrimi zyrtar i Malit të Zi: “Nuk do ta anulojmë” marrëveshjen për kufirin me Kosovën

Qëndrimi zyrtar i Malit të Zi: “Nuk do ta anulojmë” marrëveshjen për kufirin me Kosovën

Publikuar më: 17:31 06-11-2017

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviç, tha me bindje se vendi i tij nuk do ta anulojë marrëveshjen për kujfit me Kosovën. Darmanoviç tha se për vendin e tij, çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën është e mbyllur dhe se ky nuk është qëndrim vetëm i Podgoricës, por edhe i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që kam thënë disa herë në këtë temë. Ne e kemi bërë atë që na ka takuar. Në Vjenë kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare me Kosovën dhe atë marrëveshje e kemi ratifikuar në Kuvend, ashtu siç kërkojnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet midis vendeve”, tha Darmanoviç për gazetarët në Podgoricë. Ai tha se Mali i Zi nuk ka anuluar kurrë një marrëveshje të ratifikuar dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në rastin me Kosovën. “Natyrisht se kemi durim për të pritur ndonjë zhvillim pozitiv të ngjarjeve në Kosovë, sepse kjo është çështje e tyre e brendshme. Nuk duam të bëjmë presion dhe as të krijojmë ndonjë astmosferë parregullsish”, tha mes tjerash ministri malazez. Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar ende këtë marrëveshje për shkak të kundërshtimeve të opozitës së mëparshme, e cila ka këmbëngulur se me të, Kosova humb territor. Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në kohën e nënshkrimit ka qenë pjesë e opozitës, e ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion dhe ka emëruar komision të ri. Ai tash është në pritje të raportit të tij për kufirin. Haradinaj po ashtu ka paralajmëruar se çështja e demarkacionit mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, por studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Kosova, pa Malin e Zi, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit është kusht për Kosovën që të fitojë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Article Logic
Execution time: 0.0029780864715576