INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Pushtetarët apo qytetarët, cilët duan reformën në drejtësi? [VIDEO]

Publikuar më: 16:23 06-02-2017

Kujt i shërben reforma në drejtësi, qytetarëve apo pushtetarëve? Kjo është pika që ndan dy lidërit kryesor politik në vend, Kryeministrin Edi Rama e kryedemokratin Lulzim Basha. Rama të keqen e korrupsionit e sheh tek gjykatësit dhe prokurorët, ndërsa reforma në drejtësi në të mirë të qytetarëve.

Edi Rama:
“Reforma në drejtësi nuk është për ne, në kuptimin e interesit tonë është për ju. Drejtësia e re, nuk na duhet thjesht për disa pushtetarë të korruptuar që duhet të marrin ndëshkim, por na duhet në radhë të parë për çdo qytetarë që te dera e gjykatës duhet të marrë drejtësinë që i takon dhe jo të hajë çekiçin kokës nga gjykatësi sepse nuk kishte para të paguante për drejtësinë dhe dikush tjetër ia bleu përmes gjykatësit drejtësinë.
Është një reformë themelore që shkon përmes funksionit të të bërit shteti dhe që kalon përmes vettingut. Vettingu nuk është as për mua as për ambasadorin amerikan as për prokurorin e përgjithshëm as për X apo Y tjetër. Është për njerëzit e zakonshëm të këtij vëndi që më në fund të çlirohen nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që i morën frymën këtij populli 25 vjet”.
Por problemin e korrupsionit Lulzim Basha e lidh vetëm me qeverinë.
Lulzim Basha:
“Ku ngrihen qytetarët, ku ngrihet rinia nuk ka qeveri të korruptuar e të inkriminuar t’ju bëjë ballë. E pamë në Rumani, tani është radha e shqiptarëve të ngrihen kundër papunësisë, kundër shëndetësisë së kolapsuar, kundër arsimit në ditën më të zezë, kundër diskriminimit të rinisë që i është lënë emigracioni si rruga e vetme. Sepse këtu është ngritur një sistem antivlerash, ku krimi dhe krimineli bëjnë përpara, bëhen deputetë, bëhen kryetarë bashkish, bëjnë para e katandi, ndërsa rinia, intelektualët, të mençurit detyrohen të shkojnë në emigracion. Kjo duhet të marrë fund, këtë e kanë në dorë qytetarët e ka në dorë rinia”.
E rruga e vetme për ti bërë ballë janë protestat popullore, ku opozita ka thirrur qytetarët në 18 shkurt në një protest massive, e cila do të shënojë dhe fillimin e një lëvizje mbarëpopullore.
Lulzim Basha:
“Kasta e korruptuar politike në pushtet dhe çdo pseudo opozitar i lodhur do ta marrin përgjigjen nga qytetarët e bashkuar, duke nisur më 18 shkurt në Tiranë e duke u shtrirë në mbarë Shqipërinë. Ky është fillimi i një lëvizje për të ndryshuar një herë e përgjithmonë fatet e këtij vendi, duke i dhënë fund një republike të korruptuar e të falimentuar, duke ndërtuar sëbashku pushtet me qytetarët dhe për qytetarët”.

Article Logic
Execution time: 0.0037050247192383