INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Premierë në Teatrin Metropol/ Si Anna Frank na shtyn që të besojmë se çdokush ka brenda vetes diçka të mirë [VIDEO]

Premierë në Teatrin Metropol/ Si Anna Frank na shtyn që të besojmë se çdokush ka brenda vetes diçka të mirë [VIDEO]

Publikuar më: 19:39 08-11-2018

Nga Irini Meçe

Në Teatrin Metropol po punohet për shfaqjen më te re që do ngjitet në skenë më 15 nëntor. Bëhet fjalë për një nga kryeveprat e letërisisë botërore “Ditari i Anna Frank”. Është një kast i gjërë dhe shumë i talentuar që po punojnë, të cilët po bëjnë maksimumin për të përcjellë historinë e trishtë të Anna Frank dhe familjes së saj hebreje, por sidomos për të përcjellë mesazhin që pavarësisht çdo gjëjë njerezit janë të mirë thellë brenda tyre.

Në regjinë e Armela Demaj, kjo shfaqje do t’i sjellë publikut një copëz reflektive nga jeta e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore, gjatë periudhës më të errët të historisë njerëzore.
Ditari i Anna Frank është një vepër ku ngjarjet janë të vendosura në vitet 40-te, ku tregohen grimcat e fundit të normalitetit dhe sesi familja Frank tërhiqet me shpejtësi drejt një bote ku i duhet të fshihet fizikisht. Por çfarë do t’i flasë kjo shfaqje pikërisht tani publikut?

Anna Frank ishte një adoleshente e zakonshme kur filloi të shkruajë faqen e parë të ditarit që e mori si dhuratë kur mbushi 13 vjeç. E vogël, por me mendje të madhe, ajo vazhdon të mbetet sot simboli i shpresës, optimizmit, pozitivitetit, ku shkrimi e mbajti të gjalle shpirtin e saj. Ky rol do të vijë i interpretuar nga Vanesa Guri, e cila është konsideruar edhe si surpriza e kësaj shfaqje. Vanesa edhe pse nuk ka studiuar aktrim, rolin e Ana Frank di ta luajë më mirë se kushdo tjetër.

Ajo shkruan rreth telasheve të saj: dashurisë dhe familjes, por edhe për ushqimin e pakët gjatë Holokaustit.

Edhe pse ngjarjet kanë ndodhur gjatë luftës së dytë botërore, kjo vepër është universale, e cila Armela nuk do ta sjellë vetëm si një qasje historike, por e ndërthurur edhe me realizimin magjik. Regjisorja thekson se nuk do të flitet specifikisht çfarë ju ndodhi hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por të trajtohet atë çfarë i ndodhi njeriut si qenie gjatë momenteve kaq të vështira në jetë.

Anna Frank është ndërgjegjeja jonë, është shtysa për të parë gjithmonë gjënë pozitive dhe të mirë edhe në skutat më të errta të jetës dhe të njerëzve.

Article Logic
Execution time: 0.0041019916534424