INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Pagat në çdo sektor, në Shqipëri më të ulëtat në rajon[VIDEO]

Publikuar më: 09:01 22-04-2019

Në çdo sektor pagat në vendin tonë janë më të ulëtat në rajon. Mali i Zi paguan më shumë bankierët, Serbia dhe Maqedonia kanë më të lartat pagat e punonjësve të teknologjisë dhe informacionit, dyfish në krahasim me Shqipërinë. Në vendin tonë nëpunësit, mjekët, mësuesit janë “të diskriminuar” në raport me rajonin, paguhen deri 80% më pak.
Nëse punon në Shqipëri, paga që merr në fund të muajit është më e ulëta në të gjithë rajonin, për të gjithë sektorët, si në banka, sigurime, industri, bujqësi, arsim dhe sidomos në teknologji informacioni dhe shëndetësi.
Paga mesatare në Shqipëri është rreth 50 mijë lekë apo rreth 400 euro është më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e larta është në Mal të Zi 765 euro, më pas vjen Serbia me 644 euro e ndjekur nga Maqedonia e Veriut 591 euro dhe Kosova e parafundit 528 euro. Profesioni më i paguar në të gjithë rajonin është ai i bankierëve në Mal të Zi, ku mesatarisht fitohet rreth 1.440 euro në muaj. Edhe në Shqipëri, ky aktivitet është më i paguari në raport me të tjerët brenda vendit, me rreth 840 euro po sërish mbetet më i nënpaguari në rajon. Në Serbi dhe Maqedoni, aktivitetet financiare dhe të sigurimit paguajnë përkatësisht rreth 1.000 dhe 1.200 euro në muaj, rreth 20-40% më shumë se në Shqipëri.
Mali i Zi mban rekord dhe për pagat që jep në sektorin e bujqësisë, me 770 euro në muaj, pothuajse e barabartë me pagën mesatare të atij vendi.
Nëse je një ekspert i teknologjisë së informacionit, vendet e rajonit që të paguajnë më shumë janë Maqedonia dhe Serbia, me përkatësisht rreth 1.100 dhe 1.200 euro në muaj, që është pothuajse dyfishi i asaj që merr i njëjti ekspert në Shqipëri.
Të nënpaguar në raport me rajonin janë dhe punonjësit shqiptarë në sektorin e industrisë përpunuese, me rreth 270 euro, ndërsa në rajon paguhen të paktën dyfishin. Paga mesatare në shtet është rreth 480 euro në Shqipëri, ndërsa në Kosovë rreth 530 euro, rreth 670 euro në Maqedoni, 760 euro në Serbi dhe më e larta në Mal të Zi me rreth 880 euro.

Article Logic
Execution time: 0.0032410621643066