INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Një tjetër anëtar i Gjykatës Kushtetuese përballë Vettingut

Një tjetër anëtar i Gjykatës Kushtetuese përballë Vettingut

Publikuar më: 10:23 23-04-2018

Verifikimi i pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve ka futur në sitën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një numër të madh zyrtarësh të sistemit të drejtësisë. Këtë të hënë radhën e ka Altina Xhoxhaj, anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese që përballet me procesin e vetingut pas Besnik Imerajt, Fatos Lulos dhe Vitore Tushës. Imeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit në Prokurori; Fatos Lulo u shkarkua nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e rikonfirmuar deri më tani në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja dhe Genta Tafa Bungo ka caktuar seancën dëgjimore me gjyqtaren Xhoxhaj më 23 prill. E diplomuar në vitin 1994 në Fakultetin e Drejtësisë, Altina Xhoxhaj e filloi karrierën në gjyqësor një vit më vonë si gjyqtare e shkallës së parë në Tiranë. Në vitet 2006-2010 ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në maj të vitit 2010 u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Paralelisht me detyrën si gjyqtare, Xhoxhaj ka edhe një karrierë të gjatë si akademike. Në vitet 1995-2000 ajo ka qenë pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Ekonomisë dhe prej vitit 2013 jep lëndën “E drejta tregtare” në Shkollën e Magjistraturës. Xhoxhaj është gjithashtu eksperte e trajnimit për gjyqtarë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Altina Xhoxhaj nga viti 2003 deri në vitin 2017. Analiza e pasurisë ka qenë ajo që ka prekur më shumë anëtarët e sistemit të drejtësisë, ku Komisioni në fakt edhe ka shkarkuar prokurorë dhe gjyqtarë.

Article Logic
Execution time: 0.0037238597869873