INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nisin punimet në autostradën Tiranë-Durrës! Drejtuesit e makinave: Periudha e gabuar [VIDEO]

Nisin punimet në autostradën Tiranë-Durrës! Drejtuesit e makinave: Periudha e gabuar [VIDEO]

Publikuar më: 17:34 04-01-2019

Nisin punimet në autostradën Tiranë-Durrës. Në të dyja krahët e saj është hapur për automjetet vetëm një aks, nga dy që janë. Fadromat kanë nisur punimet për ta çarë autostradën në dy pika të saj, për të eleminuar përmbytjet, ndaj dhe po punohet për dy kanale të mëdha kulluese në segmentin rrugor Tirane–Qafë Kashar ose siç ndryshe njihet kthesa e Rinasit. Për IN TV inxhineri i projektit tregon si do të ndërhyet në autostradë.

“Do çahet rruga në dy vende pak metra më tutje në këtë pikë dhe një pikë tjetër tek përfaqësia e Mercedesit për të ndërtuar dy tombino metalike në të dyja anët e rrugës, në të dyja drejtimet e autostradës. Nëse nuk do ketë rrjeshje shiu apo vështirësi të tjera mendohet mes 2-3 javë të zgjasin punimet”, tha inxhineri.

Punimet kanë nisur në orën 05:00 të mëngjesit e deri në orët e mesditës nuk kishte trafik të rënduar. Disa punonjës dhe Policia e Qarkullimit Rrugor orientonin lëvizjen në autostradë, ndërsa kalimi i automjeve bëhej me shpejtësi të ulët. Për IN TV shoferët u shprehën se punimet në këto kohë nuk janë normale. “Janë njerëzit me pushime të gjithë dhe nuk është normale për mendimin tim”, tha një drejtues. “Më duket anormale me rrugët. Por rëndësi ka të rregullohet dhe sinjalistika të jetë në rregull”, u shpreh një shofer tjetër.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informuan këtë të pretmte se Autostrata Tiranë–Durrës në segmentin Mbikalim Kamëz – Mbikalimi Qafë-Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes. Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugët dytësore të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizjeje.

 

Article Logic
Execution time: 0.0036501884460449