INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Në ditët e sotme, del për kafe dhe flet me muret

Në ditët e sotme, del për kafe dhe flet me muret

Publikuar më: 13:08 27-04-2018
Nga Anisa Bega
 
Mesa duket disa e kuptojnë si një trend, disa si diçka normale dhe disa si një tmerr i vërtetë.
Lind pyetja: Ku po shkojmë me këtë sjellje?!
Sërish mbeta pa përgjigje, sepse fundja secili ka mendimin e vet dhe duhet ta respektojmë. Ndoshta edhe unë jam mbrapa bote, që nuk jam kaq aktive në rrjetet sociale, nuk qëndroj 24 orë në internet dhe nuk i kushtoj rëndësinë e duhur efekteve të ndryshme të fotove para se t’i postoj. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë jemi të varur ndaj teknologjisë. Jam dakord, që ne duhet ta shfrytëzojmë atë, për të mirën e punës sonë, por mesa duket po ndodhë e kundërta. Mos të flasim për fëmijët, që prindërit ndërkohë që i ushqejnë i tregojnë video nga interneti, pra i bien shkurt që mos të qajë. Kalojnë vitet dhe fëmija bëhet ekspert i teknologjisë dhe përsa i përket socializimit as që bëhet fjalë. Në të ardhmen nuk do ekzistojë fjala: shoqëri. Le të kthehemi te kafja, një ndër gjërat më normale të përditshmërisë sonë. Sa ulesh të bisedosh me shoqërinë, nuk ka pikë dyshimi që të gjithë do e prekin njëherë telefonin, të shohin se çfarë bëhet vërdallë, ndonjë thashethem etj. Ikin disa minuta dhe ta mendosh që sapo jemi ulur. Ndërkohë që mund të shkëmbesh ndonjë fjalë, duket sikur e kanë mendjen sërish te ndonjë info që kanë parë te rrjetet sociale, pra flit flit ti se flet bukur. Nuk di më çfarë të mendosh, që problemin e ke ti, apo të tjerët?! 
 
Një herë, dola me një mikeshën time, që kisha disa javë pa e takuar dhe ajo sa u futëm në lokal, pyeti kamarierin për kodin e wireless-it. U habita, ua sa me urgjencë e paska, mendova! Nuk kaloi shumë dhe po kthente disa mesazhe, ndërkohë kishim porositur dhe po prisnim të thonim të rejat e njëra-tjetrës. Nuk durova më dhe i thashë: Ne do flasim, apo do rrish me celular?
 
Përgjigja ishte epike: Unë kështu jam, edhe përgjigjem në celular, edhe të dëgjoj, edhe të flas. Pra, ky qenka  realiteti virtual i ditëve të sotme, i cili po na bën të flasim me muret, ose me gotën e verës.
Article Logic
Execution time: 0.003838062286377