INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mungesë

Mungesë

Publikuar më: 11:56 22-11-2017

Nga Irena Shabani

Kushedi sa herë jam matur të të shkruaj,

të të them të pathënat ndonjë natë të gjatë,

pastaj kam hequr dorë, njësoj si një dezertim

nuk e mohoj që duhet guxim për të rrëfyer ndjenjat.

Kam zgjedhur natën të të flas,

rrugëve të Tiranës kur vjeshta rrëzon përtokë gjethe

ndërsa radioja, nga një stacion i dal mode

lëshon në ajër tinguj pendimi…

Por kam heshtur ato njëmijë herë

Ku qindra herë kam dashur të vij,

pa mundur të nisem kurrë…

Janë të cuditshme rrugët,

ti i sheh sesi shtrihen para këmbëve të tua,

krejt të drejta, duke të ftuar për të ecur,

derisa kupton se i ke këmbët e lidhura.

I hedh sytë drejt tyre dhe sheh sesi sandalet e bukura

Bëhen zinxhirë të rëndë çeliku,

sesi toka bëhet hallkë ku të mbërthen frika,

sesi thonjtë nuk janë gjë tjetër veçse gozhdë të zeza.

Ti e di sesa e madhe bëhet Tirana e vogël prej mungesave,

ndoshta prandaj e kupton sesi angullin era nëpër rrugët e saj,

mbase kështu e kupton se zbrazëtira ku kumbon zëri yt,

nuk është asgjë më shumë sesa një ëndërr ku ti gremisesh në gjumë…

 

Falenderojmë Irena Shabani për shkrimin e publikuar në intv.al 

Article Logic
Execution time: 0.0031578540802002