INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta: I bindur në vendimin për Janullatos, votimin kundër SHBA-së s’e kam menduar kurrë

Meta: I bindur në vendimin për Janullatos, votimin kundër SHBA-së s’e kam menduar kurrë

Publikuar më: 22:28 28-12-2017

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në emisionin ‘Opinion’ në ‘TV Klan’ ka folur në lidhje me dhënien e nënshtetësisë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos.
“Jam shumë i bindur për drejtësinë e vendimit për Janullatosin sepse jo vetëm Fortlumturia e Tij i plotëson të gjitha kriteret por sepse ai ringriti nga hiri Kishën Autoqefale të Shqipërisë duke e bërë atë sot në një nga kishat më të nderuara në botë”. Kështu është shprehur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sonte në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.

Ai tha se, vendimi për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Anastas Janullatos ishte një detyrim së pari ndaj besimtarëve ortodoksë shqiptarë:
“Ka qenë jo vetëm një detyrim ndaj të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë por ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e shumë personaliteteve të shquara të vendit tonë, doktorë, rektorë, ish-dekanë, emra nga më të shquarit të mjekësisë, të shkencës. Por për popullin grek Janullatos nuk është thjesht një klerik i lartë por një idhull i adhuruar për shkak të personalitetit të tij të jashtëzakonshëm, si mendimtar në fushën e besimit dhe të teologjisë, si idealist dhe humanist dhe personalitet me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar”,- theksoi Meta.

Meta këshilloi që Janullatosi të shikohet vetëm si misionar dhe njeri i Perëndisë.
“Ju ftoj të gjithë të ndajmë çështjen e origjinës së Janullatosit nga çështja e besimit. Ai është personalitet i besimit, misionar dhe njeri i Perëndisë i cili ka bërë shërbime të jashtëzakonshme Kishës sonë Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Besimet kanë lindur para shteteve dhe kombeve dhe unë jam i bindur se ardhmja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë është më e ndritur dhe e sigurt falë edhe kontributit historikut të Janullatosit”,- deklaroi Meta.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka folur gjithashtu dhe për votën e Shqipërisë në OKB kundër SHBA-së dhe u shpreh se Shqipëria ka votuar në OKB në një mënyrë krejt të panevojshme. Meta tha në emisionin “Opinion”, se çdo votim tjetër përveç atij që ka ndodhur do të ishte më i pranueshëm.

Ai deklaroi se ka pasur tre mundësi për të votuar në OKB, ndërsa tregoi se asnjëherë nuk ka menduar se mund të ndodhte një votim i tillë, në një situatë të tillë, kur kërkesat kanë qenë publike të bëra edhe nga Presidenti i SHBA-së dhe nga Ambasadorja e SHBA-së në OKB.

Më tej, Meta tha se nuk pasur asnjëherë një rekomandim apo një sugjerim, apo udhëzim që Ambasadori ynë të dënojë një veprim sovran të SHBA-së. Presidenti tha se qëndrimet e Shqipërisë për çështje të rëndësishme, duhet të jenë të mirëkonsultuara.

Article Logic
Execution time: 0.0034229755401611