INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Merret Papa Françesku me

Merret Papa Françesku me "fake news"? çne?

Publikuar më: 10:12 16-02-2018

Nga Artan Fuga 

Ditën e hënë, datë 19 shkurt, ora 18°°, te salla e Akademisë së Shkencave, kam kënaqësinë të marr pjesë në një debat për "fake news", organizuar me iniciativën e konferencës ipeshkvore të Kishës Katolike në Shqipëri.

Unë kam tmerr të shkoj nëpër mbledhje e debate. Përtoj.

Pse do të marr pjesë atje? E para sepse kur Dom Gjergj Meta, Ipeshkvi i Mirditës, më foli për këtë ide të tij, më bëri për vete. Unë e respektoj shumë Dom Gjergj Metën, ani pse kemi debatuar në media, te Panorama, me të kur vdiq i ndjeri Dritëro Agolli, dhe e lexoj me shumë vëmendje kur ai del në media. Një ditë para nja pesëmbëdhjet vjetësh më takoi në panairin e librit në Tiranë, ku unë kisha ekspozuar librin tim "Shoqëria periferike". Ai papritur më tha : Profesor, te libri juaj ka një desubstancializim të paraqitjes të fenomeneve sociale, që e vlerësoj". Ai më pataksi. Nuk ma kishte vënë re as ma ka thënë dot asnjë specialist i fushës sociologjike. Po, unë aty i përmbahem idesë se shoqëria është parasëgjithash një marrëdhënie dhe jo një përmbajtje materiale. I madh Doma. Do ta shihni atë pas ca vitesh!

Pasi tha atë gjykim duke nënqeshur paksa, unë e shoh me përulje. Kështu e kam unë, çfarë të bëj, poqese dikush kalon një nivel të caktuar, në sytë e mi, ai nuk shfronëzohet më që andej. Le të shajë, kritikojë, gjithçka i pranohet :)

Do shkoj por jo thjesht për t'i bërë qefin Domës së nderuar. Por, në rradhë të parë sepse Papa Françesku, Ati i Shenjtë, ai që zbret nga makina oficiale për të ndihmuar policen që ra nga kali, paska shprehur një mesazh për fake news. Edhe në këtë fushë ka hyrë? Po, sepse etika hyn kudo. Më ka bërë përshtypje sepse në këtë mesazh ka paraqitje në këndvështrim krejt të ndriçuar të fake news. Ati i Shenjtë papritur aty hedh idenë se e vërteta është ajo që i shërben paqes. Uaaaa!!! Pse nuk mund të përdor edhe gënjeshtra për t'i shërbyer paqes dhe mundur kundërshtarët e humanizmit, paqes, lirisë? Nuk mund të prodhojë e vërteta sherre?

Cfarë debati do të jetë!!!

Pastaj kam edhe ca kunja për të nxjerrë me mediat shqiptare ose edhe me përkufizuesit e "fake news" që i barazojnë ato me lajme të pavërteta. Jo ore!!! Po atëhere përse i quajnë "fake news" dhe jo të pavërteta???

E të kam rixha??? Përgjigju!

Përndryshe ulu në vend : katërsh!

Cfarë do të përleshemi aty me miqtë e kolegët Kel Demi e Mark Marku, por këpucë nuk do t'i hedhim njeri-tjetrit, jo, kemi etikë, por do të kërleshemi për ide m'u në sy të klerikëve të nderuar!

Cfarë jeni, studentë gazetarie, mësues a pedagogë, gazetarë, online ose offline, gazetarë qytetarë, njerëz të komunikimit, prodhues rrenash ose të vërtetash, jeni të ftuar.

Edhe Pinoku me shokët e tij është i ftuar. Pse kush më autorizon mua të ftoj? Vetja mo, pse kush mund të më ndalojë, aq më shumë te salla e Akademisë së Shkencave që akoma edhe për ca kohë vazhdoj ta konsideroj si gjoja shtëpinë time.

Nuk zgjat shumë, një orë e ca. Po do të jetë me interes.

Mos harroni hyrja është e lirë. Cfarë domethënë? Ja që as do të paguani as do t'ju paguajmë për të ardhur. Ju të lirë nga ne dhe ne të lirë nga ju!

Hajdeni!

Me leje të posaçme nga Artan Fuga.

Article Logic
Execution time: 0.0035128593444824