INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kurban Bajrami. Bashkia e Tiranës shtron drekë për familjet në nevojë

Kurban Bajrami. Bashkia e Tiranës shtron drekë për familjet në nevojë

Publikuar më: 14:10 01-09-2017

Bashkia e Tiranës shtron një drekë të veçantë për familjet në nevojë në kryeqytet, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ai i cili shërbeu drekën e festës për dhjetëra fëmijë në situatë rruge qendrën sociale në Bulevardin “Zogu I”. Duke uruar të pranishmit për Kurban Bajramin, Veliaj tha se qendrat sociale të ngritura nga bashkia janë të hapura çdo ditë në të gjithë Tiranën, për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë.
Erion Veliaj:
“Jam shumë i lumtur që kolegët e bashkisë kanë qenë sot në të gjitha qendrat tona sociale duke shërbyer me solidaritet. Në fakt, kolegët e mi këtë e bëjnë përditë. Ne kemi qendra sociale në çdo cep të Tiranës, që do të thotë se çdokujt në qytet mund t’i shërbehet një vakt i ngrohtë. Por, në këto qendra sociale ofrohet jo vetëm ushqim, por edhe shërbim e këshillim me psikologë”.
Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së fëmijëve që gjenden në situatë rruge. Veliaj tha se rruga nuk është një zgjidhje dhe se përmes dhënies së lëmoshës për fëmijët, nxitet edhe më tej shfrytëzimi i tyre për të lypur.
Erion Veliaj:
“Sot është një ditë e veçantë, dita e Kurban Bajramit, dhe kjo është arsyeja pse u jam bashkuar kolegëve që e bëjnë përditë këtë punë, në një nga qendrat shembullore këtu në bulevardin “Zogu I”; një qendër e cila mirëpret dhjetëra fëmijë, kryesisht në situatë rruge, me raste shumë të vështira të familjeve në nevojë. Rruga nuk është zgjidhje, nuk është alternativë, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës. Ne i kemi të gjitha mundësitë që ta ofrojmë këtë shërbim. Duke kultivuar lëmoshën, kultivojmë shfrytëzimin që dikush i bën fëmijëve duke i nxjerrë në rrugë. Fëmijët nuk janë bankomat për t’u sjellë para tutorëve”.

Article Logic
Execution time: 0.0033230781555176