INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kreditë me probleme, niveli zbret 13%

Kreditë me probleme, niveli zbret 13%

Publikuar më: 12:05 05-10-2018

Për herë të parë gjatë këtij viti, raporti i kredive me probleme ka pësuar një rënie, duke zbritur poshtë nivelit të 13%. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues në fund të muajit gusht zbriti në 12.9%, që përfaqëson nivelin më të ulët që nga qershori i vitit 2010. Efektin kryesor në uljen e këtij treguesi po e japin ristrukturimet dhe rikthimet e kredive, ndërsa deri vitin e kaluar rënia e kredive me probleme ishte sidomos rezultat i fshirjes së huave të humbura. Banka e Shqipërisë nënvizoi në raportin e fundit të stabilitetit financiar se rënia e vlerave të fshirjeve sugjeron një rënie të ndikimit të këtij faktori në ecurinë e procesit të përmirësimit të kredisë dhe thekson nevojën për të rritur përpjekjet në drejtim të formave të tjera të zgjidhjes së kredive me probleme. Realisht, format e zgjidhjes që tregojnë një përmirësim organik të portofolit të kredisë, si shlyerjet apo ristrukturimet, duket se po japin një ndikim më të lartë. Faktori që ende nuk po jep kontributin e pritshëm është zgjerimi i kreditimit. Një rritje e tepricës së kredisë do të ulte peshën specifike të kredive të këqija. Por, edhe këtë vit, huadhënia po ecën me ritme të ngadalta. Në fund të gushtit, portofoli i kredisë rezultoi në rënie vjetore me 3%.

Article Logic
Execution time: 0.0031378269195557