INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Koha dhe mënyra që ju duhet për të hequr dorë nga një zakon i vjetër

Koha dhe mënyra që ju duhet për të hequr dorë nga një zakon i vjetër

Publikuar më: 13:04 18-07-2017

Nuk ka dyshim se në të vërtetë ne jemi krijesa të zakonit.

Mendjet dhe trupat tanë janë të varur nga stimuluesit, veprimet dhe modelet që vijnë për të përcaktuar se kush jemi. Zakonet tona janë batanijet tona të sigurisë, që duke na mbuluar na ofrojnë qëndrueshmëri, komoditet dhe familjaritet.

Shumë veprime i bëjmë në mënyrë të pandërgjegjshme, si për shembull kur fusim gishtin në gojë apo kur kërcasim gishtat. Askush nuk di të thotë se kur nisën këto zakone. Sipas Charles Duhigg, autor i librit “Fuqia e zakonit”, zakonet nuk lindin por krijohen. Çdo zakon i keq, i mirë ose i parëndësishëm fillon me një model psikologjik të quajtur “qark i zakonit”. Ai argumenton se ky është një proces i ndarë në tre pjesë. I pari vjen shkaku që e bën trupin tuaj të bëjë këtë sjellje. Më pas vjen vetë sjellja, ose rutina që krijohet ndërsa e treta është shpërblimi, ose diçka që truri juaj pëlqen që e ndihmon ta mbani mend “qarkun e zakoni” në të ardhmen.

Nëse zakoni krijohet një herë, është shumë e vështirë që të çlirohemi prej tyre, sepse shumë herë harrojmë se po e bëjmë atë veprim. Për shkak të “qarkut të zakonit” ne jemi në gjendje të bëjmë gjëra të tjera pa menduar për zakonin tonë.

Të gjithëve na ndodh që ndërsa jemi duke punuar, papritur nisim të hamë thonjtë duke mos e kuptuar fare momentin kur e afrojmë dorën te goja. E thënë ndryshe, ne bëhemi skllevër të zakoneve tona.

Por, lajmi i mirë është se mund t’i zëvendësojmë zakonet e këqija me ato të mira vetëm në 66 ditë. Në një studim të publikuar në Gazetën Europiane të Psikologjisë Sociale, Phillippa Lally dhe ekipi i saj i hulumtuesve anketuan 96 persona gjatë një periudhe 12 javore për të gjetur saktësisht se sa kohë duhet për të filluar një zakon të ri. Gjatë këtyre 12 javëve, pjesëmarrësit në studim zgjodhën një zakon të ri dhe raportuan çdo ditë se sa sjellja po kthehej në një veprim automatik. Në fund të eksperimentit, Lally llogariti kohën e cila rezultoi se ishte 66 ditë.

Në momentin që do të mund të hiqni qafe një zakon nga jeta juaj, do të ndiheni krejt i lirë nga modelet e pavetëdijshme dhe shumë herë të dëmshme. Për shembull, në vend se të shikoni një film para televizorit, mund të lexoni një libër. Në vend të një pijeje me gaz në darkë, mund të pini ujë për 66 ditë.

Ja fazat të cilat duhet të ndiqni për të hequr zakonet e këqija e për t’i zëvendësuar me të mira:

Bëhuni të urryer (Ditët 1 – 22)

Thuaja të gjithëve. Tregoju miqve, familjarëve dhe kolegëve tuaj se ju po ndërmerrni një mision dhe lejojini ata që të jenë si policë patrulle për t’iu ndëshkuar kur ju në mënyrë të pavetëdijshme po përsërisni zakonin. Thuajini hapur se mund t’ju bërtasin dhe t’jua kujtojnë vazhdimisht gabimin. Ushtroni presion të vazhdueshëm mbi veten.

Analizoni veten (Ditët 22- 44)

Merrni kohën e nevojshme për të parë brenda vetes suaj. Çfarë doni në jetë? Pse po e ndërmerrni këtë veprim? Si doni të përfaqësoheni? Nëse jeni duke lënë një zakon të keq për të marrë një të shëndetshëm, analizoni se pse po e bëni këtë dhe cili do të jetë ndikimi që do të keni në jetën tuaj. Nëse e gjeni këtë arsye, do t’i bëni shumë më të lehta këto 66 ditë, pasi do të keni një forcë të brendshme që do t’ju shtyjë.

Gjeni dritën (Ditët 44- 66)

Faza e tretë është sprinti final. Është e lehtë të braktisësh gjithçka për t’u kthyer te zakoni i vjetër, sepse mund të jeni lodhur e mund të keni harruar pse e bëni gjithë këtë. Në këtë fazë ju duhet diçka ku mund të mbështeteni, që mund t’ju frymëzojë për të arritur deri në vijën e finishit. 22 ditët e fundit janë ato ditë që tregojnë se sa të fortë dhe të gatshëm për ta bërë këtë gjë jeni në të vërtetë. Nëse vazhdoni ecni në këtë fazë, do të filloni të shihni dritën në fund të tunelit.

Merreni veten me të mira (66 +)

E vetmja mënyrë për të betonizuar fundin e një zakoni të vjetër dhe fillimin e një të riu është ta kremtoni atë. Organizoni një festë, pini një shampanjë dhe shpenzoni kohë me miqtë. Bëni atë që ju bën të ndiheni të lumtur sepse tashmë ia keni arritur qëllimit.

Article Logic
Execution time: 0.0033090114593506