INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Jetë dinjitoze?/ Shqiptarët ende larg, arsyet...

Jetë dinjitoze?/ Shqiptarët ende larg, arsyet...

Publikuar më: 09:28 09-05-2019

Jetesa që bëjnë shqiptarët është ende larg asaj dinjitozes, për shkak të ekonomisë të dobët. Shpenzimet që duhen për një jetë dinjitoze, duhet të jenë gati 50% më të larta sesa të ardhurat që marrin, kjo për 63% të familjeve shqiptare. Vlerësohet se dhe për një familje me nivel të ardhurash mesatare, jetesa në Shqipëri është e vështirë, madje kthehet në mbijetesë për shkak të të ardhurave të pakta dhe shpenzimeve të larta. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare i sigurojnë të ardhura nga 0 deri në 50 mijë lekë në muaj dhe 80% e tyre kanë më shumë se 3 anëtarë. Këto janë të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë në një kampion prej më shumë se 1.200 familje, të shpërndara në të gjithë vendin. Rezultatet e vrojtimit treguan se 10% e familjeve shqiptare janë në kufijtë e varfërisë, pasi të ardhurat mujore janë deri në 17 mijë lekë në muaj.
Pjesa më e madhe 53% e tyre kanë të ardhura 17 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa numri i familjeve që marrin më shumë se kaq bie në mënyrë të ndjeshme. Sipas rezultateve të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, 28% e familjeve kanë të ardhura mujore nga 50 mijë deri në 100.000 lekë, ndërsa 8% e familjeve të anketuara kanë të ardhura nga 100.000-200.000 lekë në muaj.
Vetëm 1% e familjeve kanë raportuar të ardhura mbi 200.000 lekë në muaj. Rezultatet e vrojtimit tregojnë se burimi kryesor i të ardhurave në familjet shqiptare janë pensionet dhe vetëpunësimi. 30% e tyre kanë deklaruar se burimi i të ardhurave mujore është pensioni, 26% raportojnë se i kanë të ardhurat nga vetëpunësimi, 24% e tyre se të ardhurat vijnë nga punësimi në privat dhe 11% nga sektori shtetëror. Vetëm 1% e familjeve kanë burim tjetër të ardhurash që kryesisht vinë nga qiratë dhe interesat.
Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018, rreth 6% e familjeve siguruan të ardhurat nga remitancat, nga 5% që ishin në 6-mujorin e parë të vitit.

Article Logic
Execution time: 0.0036189556121826