INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ja se si urrejtja për 'Green Book' e bëri këtë film të rrëmbente Oscar-in e 'Filmit më të mirë' [FOTO]

Ja se si urrejtja për 'Green Book' e bëri këtë film të rrëmbente Oscar-in e 'Filmit më të mirë' [FOTO]

Publikuar më: 21:18 04-04-2019

Para pak kohësh u shpall dhe "Filmi më i mirë i vitit" në Oscars, "Green Book" e ndërkohë që unë ende nuk e kisha parë, ishte e pamundur të injoroje të gjithë zhurmën kontraversale që e shoqëroi këtë film.

Shumë e cilësuan si rracist, homofobik dhe madje disa e cilësuan si "fiction" pasi nuk kishte asnjë lidhje me historinë reale të pianistit afro-amerikan Dr. Don Shirley dhe shoferit të tij Tony Lip. 

E sigurisht nëse i përket shumicës së privlegjuar të të bardhëve, ky film do të të duket mjaft argëtues, vizualisht i shkëlqyeshëm dhe shakatë nuk mungojnë. Madje është dhe prekës dhe emocional sa të bën të habitesh me racizmin me të cilin duhej të përballeshin njerëzit me ngjyrë në vitet 50-60 në Amerikë. 

Sigurisht si pjesë e një shumice të privilegjuar të bardhësh dhe mua më shijoi jashtëzakonisht shumë ky film, e madje segmente të caktuara ku shfaqej racizmi ndaj njerëzve me ngjyrë madje dhe ndaj Dr. Don Shirley, i cili edhe pse ishte një prej pianstëve më të mirë në botë dhe luante për disa prej artistokratëve botërorë, nuk i shpëtonte dot uljes dhe poshtërimit, më dukej kaq e paimagjinueshme dhe absurde. 

Pa kuptuar me një vëzhgim të cekët dhe si pjesë e një shumice të pacënuar se në fakt ky e madje shumë herë edhe më keq ka qenë realiteti në të cilin jetonin dhe vazhdojnë ende të jetojnë njerëzit me ngjyrë, jo vetëm në Amerikë, por kudo në botë në fakt. 

Nuk e kuptoja pasi pashë të gjithë filmin, frymën kontraversale që e ndiqte "Green Book", pasi ishte e pamundur që ky film të të linte pa një mbresë apo mësime nga një perspektivë e re.

Por, sigurisht mjaftuan disa lexime artikujsh në internet, nga perspektiva të njerëzve me ngjyrë, për të kuptuar se në fakt një film i cili supozohej të pasqyronte racizmin ishte në vetvete një film racist. 

"Heroi" i vërtetë i filmit nuk ishte kurrë Dr. Don Shirley, edhe pse ai paraqitet si një njeri thuajse perfekt, heroi i vërtetë në film pasqyrohet të jetë shoferi i tij, Tony Lip, një personazh i cili fillimisht paraqitet si racist e pas miqësisë me Shirley ndryshon tërësisht.

Pra dhe në një film që supozohet të pasqyrohet realiteti i hidhur racist në Amerikë, glorfikohet një personazh i bardhë. 

Sikur të mos mjaftonte kjo, orientimi seksual i Dr. Don Shirley anashkalohet aq lehtësisht sa nuk bëhet thuajse asnjë bisedë mes personazheve, a thua se ishte diçka që nuk duhej portretizuar aspak në këtë film. 

gbreyhnt.jpg

Kritikët e filmit prej muajsh e kishin kritikuar "Green Book" si një film populist, të cilin publiku nuk duhej t'a pëlqejë, e megjithatë jo çdo njeri ka ndonjë dëshirë të madhe t'i thuhet se çfarë duhet dhe nuk duhet të pëlqejë, e sidomos kur flasim për shumica të bardha, të cilët janë mësuar me heronj të glorifikuar të bardhë dhe kjo lente e re e të parit të një racizmi të sfumuar, thjesht u duket argëtuese dhe si diçka e re dhe jo diçka vërtetë shqetësuese apo reale. 

Nëse ka ndonjë formulë e cila zbulon se si një film kaq i "urryer" nga kritikët e filmit, rrëmbeu Oscar-in e "Filmit më të mirë", mjafton të kujtojmë zgjedhjet në SHBA dhe fitoren e Trump.

Reklamimi i tepërt se njerëzit nuk duhet të votonin Trump, i bëri ata dhe më të interesuar ndaj tij dhe kështu Trump u bë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në të njëjtën mënyrë, "propaganda" e vazhdueshme e kritikëve të filmit që thoshin se "Green Book" është një film që nuk duhet pëlqyer për shkak se është një film racist në vetvete, duke shkruar kudo për këtë gjë, e bëri këtë film të qëndronte për një kohë të gjatë në vëmendjen e njerëzve, sigurisht që interesi u rrit dhe gjithmonë e më shumë njerëz po e shihnin dhe në fund shumë prej tyre do t'u shijonte pa kuptuar racizmin që ky film mbante mbi vete.

Sigurisht që shumë prej këtyre njerëzve nuk u pëlqen t'u thuash se çfarë është e gabuar apo jo dhe si rrjedhim "Green Book" rrëmbeu "Çmimin e Audiencës" në Festivalin e Filmit të Torontos, që zakonisht është një dritë jeshile për shkëlqim në Oscars dhe kështu ndodhi.

"Green Book" fitoi sepse shumë njerëz nuk donin që ai të fitonte dhe këta njerëz ua thoshin vazhdimisht të tjerëve këtë gjë. 

Megi Bilo

ferfgewrg.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0032200813293457