INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Instinkti i jetës

Instinkti i jetës

Publikuar më: 17:47 26-01-2018

Nga Lira Gjika

Instinkti i jetës është aq i fuqishëm tek fëmija sa e bën atë të “kapet” pas saj dhe të detyrojë të gjithë mjedisin përreth, ta marrë në konsideratë dhe t’i shërbejë.

Për çudi, kjo energji, kjo forcë anashkalohet, dhe të rrituri, prindërit e specialistët mendojnë, se janë ata më të rëndësishëm në jetën e fëmijës. Duke evituar këtë të vërtetë (në mënyrë të pavetëdijshme), të rriturit e trajtojnë fëmijën si të paaftë. Kjo heshtje e të rriturve ndaj kësaj energjie, kjo mungesë vëmendjeje, për të njohur e pranuar këtë realitet të fëmijës, dhe mungesa e përgjegjësie për sjelljen e tyre, e detyron fëmijën të mbetet pasiv në jetën e tij, të mos ndërtojë mekanizmat e besimit tek vetja.

Është e vërtetë se ai në fillimet e jetës nuk mund të kryejë shumë proçese por jo sepse nuk ka forcë të rritet. Ai vërtetë është dipendent ndaj të rriturit por kjo nuk është gjithçka. I rrituri siguron egzistencën e tij, por proçesin e rritjes fëmija e realizon vetë. Pavarësisht nga imponimet, fëmija e zbulon botën dhe njeh veten, sipas mënyrës së tij. Ai çdo çast është më i rritur se çasti më parë.

Vetëm me të qarën e tij pa përmendur efektin e të qeshurës, ai e detyron të rriturit, që edhe pse i nervozuar, ta qetësojë veten dhe ti përkushtohet fëmijës. E megjithatë të rriturit vazhdojnë të insistojnë se fëmijën e rrisin ata.

Të rriturit, duke filluar nga nëna, duhet të kryejnë veprimet jo ashtu si dinë dhe ndjejnë, por duke u përpjekur të shohin me “sytë” e fëmijës, si i përfton ai qëndrimin dhe veprimet e tyre, të rriturve.

Me leje të posaçme nga Lira Gjika. 

Article Logic
Execution time: 0.0038881301879883