INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Financimi i terrorizmit me para të pista! Shqipëria do shtrëngojë masat

Financimi i terrorizmit me para të pista! Shqipëria do shtrëngojë masat

Publikuar më: 12:38 12-02-2019

Në vazhdën e ndryshimeve ligjore që priten t’i bëhet paketës që lidhet me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është bërë publik edhe drafti më i fundit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim ndryshimet në ligjin “Për masat kundër financimit të terrorizmit” ku janë bërë një sërë ndërhyrjesh. Ndër të tjera drafti bën rregullime në termat se çfarë njihet si pasuri dhe që mund të bllokohet për të dyshuarit, mënyrën sesi do të bëhet raportimi pranë institucioneve përkatëse nga subjektet raportuese dhe modalitetet që do të ndiqen për Këshillin e Sigurimit të OKB për të përfshirë të dyshuarit në listat publike.
Duket se një nga pikat e propozuara është ajo lidhur me njoftimin e institucioneve përkatëse kur ka raste të dyshuara por duke mos lajmëruar subjektet që janë pjesë e këtij dyshimi. Në nenin 10 thuhet se subjekti raportues “është i detyruar që, pa njoftim paraprak dhe përfshirje të personave të dyshuar apo të prekur, të njoftojë menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave”.
Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se qëllimi i këtij projektligji është parandalimi dhe goditja e veprimtarive të terroristëve dhe e atyre që mbështesin dhe financojnë terrorizmin, apo të atyre, për të cilët ka dyshime të bazuara që kanë kryer, po kryejnë ose kanë qëllim të kryejnë veprimtari të tilla, nëpërmjet bllokimit, sekuestrimit të fondeve e pasurive të tyre, në zbatim të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
Në funksion të këtij qëllimi të përgjithshëm synohet: zvogëlimi i rreziqeve të financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit, parandalimi i hyrjes së fondeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë të tjerë ose zbulimi dhe raportimi i tyre, zbulimi dhe goditja e kërcënimeve financim terrorizmi, reagimi në kohë dhe me efikasitet ndaj rreziqeve të sipërcituara./Monitor

Article Logic
Execution time: 0.0032649040222168