INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dita Ndërkombëtare e Emigrimit, çelet ekspozita “Unë jam shqiptar”, kushtuar diasporës

Dita Ndërkombëtare e Emigrimit, çelet ekspozita “Unë jam shqiptar”, kushtuar diasporës

Publikuar më: 17:15 18-12-2017

Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Emigrimit”, u çel sot në Tiranë ekspozita “Unë jam shqiptar”, kushtuar diasporës shqiptare. Ekspozita nisi me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës që shënoi valët e para të emigrimit të shqiptarëve, vijoi me ngulmimet arbëreshe në Italinë e Jugut dhe komunitetet e tjera në vende të ndryshme të botës. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo ekspozitë vjen si një mirënjohje ndaj të gjithë atyre shqiptarëve që, nisur nga shkaqe dhe periudha të ndryshme, kanë vendosur që jetën ta organizojnë në një vend tjetër, duke ruajtur traditat dhe zakonet shqiptare.

Ai vlerësoi se emigracioni është bërë pjesë e pandashme e kombit shqiptar, ndaj dhe theksoi se çdo shqiptar, pavarësisht kohës se kur i është dashur të largohet nga atdheu, është një vlerë dhe ambasador për vendin. “Emigracioni e ka konturuar kombin tonë si një komb kozmopolitan. Ndoshta, është taksirati i vendeve të vogla që të udhëtojnë gjithmonë, por unë besoj se sot jemi në një situatë ku emigrantët tanë janë një aset për vendin. Unë nuk besoj tek turbo-patriotizmi, që “O sa mirë me qenë shqiptar” do të thotë vetëm të punojmë këtu. Por, secili prej nesh, sidomos me një shërbim diplomatik modest të një vendi të vogël, e ka fuqinë të jetë një ambasador dhe një përfaqësues shumë i denjë i Shqipërisë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj tha se në këtë drejtim Shqipëria ka plot shembuj pozitiv që e përfaqësojnë denjësisht aty ku jetojnë dhe punojnë. “Ndonjëherë, nami i Shqipërisë është në proporcion të zhdrejtë me fuqinë e vet ekonomike dhe popullsinë. Besoj se kjo na vjen nga histori suksesi siç është Inva Mula, Eno Peçi në Vienë, Oleg Çezari në Romë dhe kudo tjetër, dhe besoj kompenson pafuqinë tonë të të pasurit të një shërbimi diplomatik të gjerë, duke pasur mjaftueshëm histori suksesi që mund të kryejnë gjithashtu edhe këtë funksion”, shtoi Veliaj.

Ai u ndal edhe te roli dhe rëndësia që qeveria i ka dhënë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, ku ka veçuar emërimin e një ministri për diasporën, si dhe promovimin e diplomacisë ekonomike. “Sot jemi në një situatë ku po ndjekim në mënyrë agresive çështjen e diplomacisë ekonomike. Sot, akti më i madh patriotik që mund të bësh për vendin është të investosh dhe të sigurohesh që këtu vazhdon të rritet ekonomia, që këtu kemi investime të huaja. Ajo që më pëlqen që pas Samitit të Diasporës, një pjesë e madhe e anëtarëve dhe aktivistëve të diasporës janë kthyer jo vetëm në agjentë të marketingut, por edhe në agjentë thithjesh investimesh të huaja, disa herë edhe më të aftë se shërbimi diplomatik, duke qenë se vetë janë marrë me biznes”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se shqiptarët kudo ku janë shërbejnë edhe si ura komunikimi mes vendeve, duke sjellë marrëdhënie më të mira si dhe zhvillim të dyanshëm. “Për herë të parë kemi më shumë italianë që vijnë në Shqipëri, sesa shqiptarë që për herë të parë shkojnë në Itali dhe sa më shumë që diaspora shërben për t’i lidhur shoqëritë tona, pra Shqipëri-Greqi, Shqipëri-Itali, apo Shqipëri dhe vende të tjera, besoj se emigracioni mund të sjellë vetëm gjëra pozitive. Besoj se me ekspozitën e sotme, kemi një mënyrë edhe për të parë një lloj skaneri të 500 viteve të fundit të emigracionit”, u shpreh Veliaj.

Për ti dhënë shqiptarëve vlerësimin dhe rëndësinë e duhur edhe në vendimmarrje që ndodhin në Shqipëri, kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi si mjaft të rëndësishme dhënien e të drejtës për të votuar atje ku jetojnë dhe punojnë. “Ende do të duhet të vendosim nëse do të ndodhë në mënyrë elektronike, nëse do të ndodhë me postë apo pranë ambasadave tona. Çdo variant ka pluset dhe minuset e vëta dhe sigurisht kjo do edhe një dakordësi me opozitën, por besoj se pas 27 vitesh që i kemi trajtuar emigrantët vetëm si aksionerë ekonomikë, ka ardhur koha t’i trajtojmë edhe si aksionerë politikë. Besoj se ka ardhur koha që t’i lemë mënjanë cic-micet politike dhe kur vjen puna tek vota e emigrantëve të marrim mendimin e duhur dhe t’i japim drejtim kësaj historie”, deklaroi Veliaj.

Ai siguroi të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut se do të kenë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës në rast se do të duan që kursimet e tyre t’i investojnë në Tiranë. “Nëse keni ndër mend dikë që do të investojë në Tiranë, jam i gatshëm të komunikoja me ju. Kjo është e vetmja mënyrë se si përtej fjalimeve mund të bëjmë diçka konkrete. Ne tashmë kemi disa përfaqësues të diasporës që kanë kërkuar të hapin hotele në Tiranë, është një kërkesë e tregut sidomos në këto ditët e festave, hotelet në Tiranë janë të stërmbushura. Duam ta kthejmë Tiranën shumë fort në qendër të panaireve, të konferencave dhe seminareve në të gjithë rajonin, pra jo vetëm me klientelën që kemi këtu dhe besoj që investime të tilla janë të mirëpritura”, tha Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0027511119842529