INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dialogu i bllokuar, Brukseli s’ka datë për takimin Thaçi - Vuçiç

Dialogu i bllokuar, Brukseli s’ka datë për takimin Thaçi - Vuçiç

Publikuar më: 15:00 11-10-2018

Dështimi i takimit të 7 shtatorit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiçit në Bruksel ka shënuar edhe fillimin e bllokadës së procesit të dialogut shumëvjeçar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Përveç kësaj, ideja nga kryesuesi i këtyre bisedimeve, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy shteteve, ka bërë që edhe faktori politik kosovar të krijojë bariera kundër dhe të mos gjendet konsensus rreth asaj se kush duhet t’i udhëheqë bisedimet. Kundër Thaçit është organizuar edhe një protestë, ndërkohë Veseli, Haradinaj e Limaj po provojnë që me draft-rezoluta për dialogun, ta nxjerrin Thaçin jashtë lojës, dhe në Bruksel si kryesues i bisedimeve të shkojë Fatmir Limaj, shkruan Express. Nisma të tilla përveç pozitës, nuk po e marrin përkrahjen e dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat po kërkojnë me ngulm që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Krahas kësaj bllokade politike në Kosovë për dialogun, as vetë Brukseli nuk e di se kur do të mund të caktohet një takim tjetër i nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançic, ka thënë se ende nuk dihet data e një takimi tjetër të mundshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
“Në këtë moment nuk mund të japim një datë për takimin e radhës të nivelit të lartë në kontekstin e dialogut. Por në momentin që do ta kemi një datë, do ta bëjmë publike”, ka thënë Koçijançic.

 

Article Logic
Execution time: 0.0039379596710205