INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

"Deti". Thirrja e Kodhelit, Marrëveshja mos të dështojë. Paloka 2 kushte për Presidentin [VIDEO]

Publikuar më: 12:22 02-03-2018

Për 2 orë me radhë anëtarët e komisionit të jashtëm kanë qenë në zyrën e presidentit Ilir Meta për të diskutuar mbi marrëveshjen e detit me Greqinë. Në përfundim të takimit, kryetarja e komisionit Mimi Kodheli tha se gjatë këtyre bisedimeve u theksua rëndësia që këto bisedime mos të dështojnë. 

Mimi Kodheli:
“Ramë dakord dhe ndamë të njëjtin mendim me Presidentin lidhur me nevojën që kjo marrëveshje të mos dështojë, me nevojën dhe meritën që ka vendi ynë për të hapur negociatat me BE. Këta janë elementë të domosdoshëm që e bëjnë këtë marrëveshjen më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me atë greke”.
Në këtë takim opozita kishte 2 kërkesa konkrete për Presidentin e Republikës në procesin bisedimeve për arritjen e një marrëveshje për sa i përket vendosjes së Kufirit detar me fqinjin tonë jugor.
Edi Paloka:
“Patëm një bisedë mjaft konstruktive me presidentin. Na informoi për të gjitha hapat që janë ndërmarrë deri më sot me Ministrinë e Jashtme. Për fat të keq rezultoi ajo që opozita ka ngritur si shqetësim mungesa e transparencës nga Ministria e Jashtme, si dhe fakti që edhe në marrëdhëniet me Presidenti nuk ka pasur një marrëdhënie korrekte. Pas parashtrimit të presidentit lidhur me qëndrimin e tij që bazohet në vendimin e gjykatës Kushtetuese ramë dakord pra mazhoranca dhe opozita që qëndrimi i presidentit është korrekt dhe i përgjigjet përgjegjësisë dhe detyrimit që ai ka për të qëndruar fort në vendimin e Gjykatës Kushtetutës. Mosdakordësia mes palëve ishte tek transparenca, por mendoj se ky ishte një element i qartë për këdo. Ne ngritëm si shqetësim mungesën e transaprencës, fakti se pse është kjo mungesë transparencë dhe a ka arsye për të fshehur përderisa nuk janë transparent në një marrëdhënie kaq të rëndësishme”.
Ndërsa Lëvizja socialiste për Integrim ka një kufi për negociatat. Klajda Gjosha thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe në këto bisedime. Por gjatë këtij takimi ka dalë në pah një tjerë fenomen, PS e LSI bashkohen në një pikë sa i përket këtyre bisedimeve.
Mimi Kodheli:
“Unë besoj se ministri i Punëve të Jashtme e ka sqaruar në dëgjesat publike se shkohet në Hagë nëse vendet respektive nuk bien dakord të hyjnë në marrëveshje. Për aq kohë sa ne kemi rënë dakord që do të hyjmë në marrëveshje me qeverinë greke nuk shikoj asnjë arsye pse çështja duhet të shkojë në Hagë”.
Klajda Gjosha:
“Unë mendoj që duhet të kalojmë të gjitha etapat. Presidenti ishte i qartë në këtë takim kur tha që duhet të zbatojmë me përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse ne e zbatojmë atë do ta bëjë marrëveshjen me palën greke të pakontestueshme”.

Article Logic
Execution time: 0.0042629241943359