INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Çfarë mendon Basha për ministrat e rinj të Ramës:

Çfarë mendon Basha për ministrat e rinj të Ramës: "Qeveria e re, vazhdim i së keqes"

Publikuar më: 16:30 27-08-2017

Menjëherë pas shpalljes së kabinetit të ri qeveritar nga kryeministri Edi Rama, kanë ardhur reagimet e opozitës. Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se ministrat e Ramës janë garanci për krimin ndërsa nënkryetari Edi Paloka duket se nuk ëshët zhgënjyer aspak nga përzgjedhjet e portofolave ministrore të Ramës.
“Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes. Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafaj, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin”, shkruan ndër të tjera Basha.

Sipas Bashës, kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste. “Tridhjetë vite pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre, nga Edi Rama te Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato, e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse. Kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish”, shprehet më tej Basha.

Kreu i Partisë Demokratike thekson se sot, ata që menduan se “takimet me popullin” dhe ballafaqimet me hallet e rënduara të njerëzve e bënë Ramën të reflektojë, “kuptuan që kjo qeveri nuk do të jetë kurrë qeveria e popullit dhe nuk do të punojë kurrë për popullin”.

Ndaj, për Bashën, opozita ka detyrën dhe përgjegjësinë që bashkë me qytetarët të mos lejojë të shkojë deri në fund ky projekt i zi për vendin tonë.

Edi Paloka e konsideron kabinetin e ri të Ramës si një bashkim të kryehajdutëve ndërsa shton se Rama nuk e zhgënjeu me qeverinë e tij.
“Ruçi, Balla, Ahmetaj, Gjiknuri, Xhafaj, Bushati, Peleshi, Klosi, Qato... Një bashkim i kryehajdutëve të 4 viteve të shkuara, që jo rastësisht ishin edhe në krye të sistemit të blerjes së votave, dhe përfaqësuesve më të denjë të nomenklaturës kriminale komuniste, pinjollë të drejtpërdrejtë të ish-Byrosë Politike. Duke iu referuar edhe statusit tim përpara zbulimit të emrave. Po edhe në atë aspekt Rama nuk zhgënjeu, ia kaloi Caligulës. Ka një shprehje që thotë se ‘çdo popull meriton qeverinë që ka’. Nuk e di, a e meritojmë vërtet të drejtohemi nga këta...?”, ngre pyetjen nënkryetari i PD-së, Paloka.

Article Logic
Execution time: 0.0034270286560059