INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bilanci i përmbytjeve, 2017 rezulton katastrofike...

Bilanci i përmbytjeve, 2017 rezulton katastrofike...

Publikuar më: 20:54 04-12-2017

Kushtet e rënda atmosferike kanë shkaktuar probleme të rënda në shumë zona të Shqipërisë. Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e këtij viti janë disa herë më të larta se sa në vitin 2015 kur ndodhi përmbytja e fundit masive.

Top Channel krahason të dhënat zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe emergjencat civile për bilancin e dy përmbytjeve.

Sipas shifrave, rezulton se këtë vit numri i shtëpive të përmbytura është 4700 ose gati 7 herë më i madh nga ai që ishte dy vjet më parë, sipas Ministrisë së Brendshme në vitin 2015 u përmbytën 9992 hektarë tokë, ndërsa këtë vit rezulton se sipërfaqja e përmbytur është 10 mijë e 622 hektarë.

Përse përmbytemi?

Në fillim të këtij viti, qeveria shpërndau 61 ekskavatorë të rinj për bashkitë e vendit, të cilat sipas kryeministrit do garantonin ujitjen e tokave por dhe do të shmangin përmbytjet.

“Ambicia jone dhe objektivi ynë që do të realizohet brenda këtij viti është që të mos ketë asnjë parcelë ku uji të mos shkojë dhe kullimi të mos jetë i garantuar”, tha Kryeministri Rama.

Por kur nuk është mbushur asnjë vit nga mbërritja e flotës së ekskavatorëve siç e pati quajtur Kryeministri, Shqipëria u përmbyt sërish. Madje këtë herë dëmi është disa herë më i lartë.

“Në radhë të parë duhet bërë një studim i plotë për të evidentuar gjendjen e argjinaturave. Kur është e mundur të bëhen riparime të argjinaturave, ndërsa atje ku mungojnë të ndërtohen argjinatura të reja”, shprehet Vladimir Agalliu, ekspert hidroteknik për argjinaturat.

Dhimtër Vogli, i cili ka drejtuar institutin e studimeve të bonifikimit thotë se shumë nga lumenjtë problematikë kërkojnë ndërhyrje në themel.

“Argjinaturat e Vjosës janë ndërtuar para 60 vjetësh. Por janë ndërtuar mbi bazën e kushteve që ishin atëherë, me vetëm 10 vjet vrojtime. Me mundësitë teknike që ishin atëherë. Sot janë mundësitë më të mëdha, qoftë tek ekskavatorët qoftë tek gërmimet. Së dyti në 60 vjet mund të ketë ndryshuar regjimi i lumit”, shprehet Vogli.

Por sipas tij, këto studime nuk ka kush i realizon më, pasi Shqipëria i ka mbyllur institutet që kishin ekspertizën e nevojshme. Dhe në vend që të mbrojë qytetarët nga përmbytjet, shteti është bërë vetë shkaktari i tyre.

Kur ndërtohet një rrugë duket të mos përkeqësojë regjimin e ujërave. Rruga duhet të jetë e fundit që përmbytet dhe jo e para”, thotë Vogli.

Article Logic
Execution time: 0.0027639865875244