INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Banka Botërore për ekonominë: Përgjatë viteve 2019-2020 do ulet PBB

Banka Botërore për ekonominë: Përgjatë viteve 2019-2020 do ulet PBB

Publikuar më: 15:33 24-03-2019

Ritmet e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë parashikohen në rënie nga ana e Bankës Botërore. Sipas statistikave dhe prognozës së këtij institucioni financiar ndërkombëtar, viti 2018 ka qenë më i miri sa i përket rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vendin tonë, por pritet që ritmi të zvogëlohet si sivjet, ashtu edhe gjatë vitit 2020. Kjo bie ndesh me prognozat zyrtare të qeverisë shqiptare, të cilat parashikojnë që ritmi të barazojë dhe të tejkalojë nivelin e vjetëm, që llogaritet rreth 4 përqindëshit. Një rritje e kënaqshme, por që kalohet dhe do të tejkalohet edhe nga vende të tjera të rajonit.

Në vitin 2016, Banka Botërore e llogarit rritjen e PBB-së shqiptare në masën 3.4 për qind, për ta rritur një vit më pas në nivelin e 3.8 përqindjeve më 2017. Pas maksimumit të parashikuar prej 4 për qind vitin e kaluar, ritmi sërish do të bjerë në 3.6 për qind vitin në vazhdim, për të zbritur më poshtë, në 3.5 për qind, në 2020-ën. Gjatë këtyre pesë viteve që merren në shqyrtim, ekspertët e BB japin “notën mesatare” prej 3.66% në ritmin e zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë mënyrë, duket se Banka mendon se përfundimi i disa prej veprave madhore me investime të huaja, si gazsjellësi TAP apo HEC-et mbi Devoll nuk do të zëvendësohen lehtësisht me projektet e reja në vendin tonë, duke shënuar kështu një rënie të lehtë.

Rajoni

Kosova, sipas Bankës Botërore, do të jetë në majë të klasifikimit të PBB-së, me një mesatare prej 4.14 përqindësh gjatë pesë viteve që merren në shqyrtim, me perspektivë pozitive prej +4.5%, si gjatë vitit 2019, ashtu edhe gjatë 2020-ës. Ndërkohë, vitin e ardhshëm edhe Serbia paraqitet me një prognozë +4%, ndërkohë që vitet e mëparshme nuk ka qenë ndër më të mirat në rajon, duke arritur edhe në nivelin 1.9% në vitin 2017.

Në përgjithësi, rajoni paraqitet me një mesatare 3.45% këtë vit dhe 3.6% vitin e ardhshëm. Me shifra të mira del edhe Bosnja e Hercegovina, ndërkohë që Mali i Zi paraqitet me një grafik në rënie, pas një 4.3 përqindëshi rritje, që kishte arritur në vitin 2017.

2019.jpg

2020.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0037460327148438