INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Abuzimi me të miturën në Kavajë/Dënohet ashpër nga Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve”

Abuzimi me të miturën në Kavajë/Dënohet ashpër nga Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve”

Publikuar më: 12:56 07-02-2019

Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve”, pas publikimit të rastit të abuzimit seksual të një vajze të mitur nga një grup bashkëmoshatarësh, ka mbajtur një qëndrim të ashpër. Rrjeti “Zëri i të Rinjve” kërkon që ky rast të trajtohet me një kujdes të veçantë etik dhe profesional, ana e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe poltikanëve. 

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes, nxisim dhe kërkojmë nga autoritet përgjegjëse ta trajtojnë ngjarjen sa më shpejt me angazhimin e duhur dhe maksimal, në zbatim të detyrave dhe përgjegjësive që ka secili autoritet dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur,” shkruhet në komunikatën e Rrjetit “Zëri i të Rinjve”.
19 organizatat e këtij rrjeti janë bërë bashkë dhe kanë hartuar dhe disa kërkesa që kërkojnë vëmendje maksimale nga strukturat shtetërore.

1. Marrjen e masave të menjëhershme për trajtimin dhe rehabilitimin psiko-shëndetësor të viktimës, duke i ofruar shërbime emergjente. Këto shërbime duhet t’i ofrohen si viktimës, ashtu edhe anëtarëve të tjerë të familjes.
Trajtim psiko-social duhet të marrin dhe bashkëmoshatarët e tjerë, që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje, por që janë të prekur nga zbardhja e kësaj ngjarjeje.
2. Autoritetet përkatëse të marrin masa për mbrojtjen e jetës private të miturës dhe familjes, si dhe të mospublikimit të dhënave për këtë rast.

Për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen, Rrjeti “Zëri i të Rinjve” kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe çdo aktor tjetër që punon në këtë fushë, që:
-Kurrikulat e Edukatës Gjithëpërfshirëse Seksuale dhe Shëndetësore dhe aftësimit për jetën të shtrihen në të gjitha shkollat e vendit dhe mësuesit të trajnohen për një mësimdhënie të përshtatshme dhe të duhur sipas moshës. .
-Shërbimet Shëndetësore Miqësore për të rinjtëtë jenë pjesë e paketës se shërbimeve në sistemin parësor shëndetësor. Të trajnohen ofruesit e kujdesit shëndetësor për të ofruar këto shërbime. Pjesë e këtij procesi duhet të jenë edhe mjekët e shkollave. Ky objektiv është i parashikuar edhe në objektivin 3.4 të Planit të Veprimit të Rinisë 2015-2020.
-Të rritet roli i psikologut dhe punonjësit social në shkolla, me qëllim kapjen e hershme të rasteve të abuzimit seksual ndërmjet bashkëmoshatarëve.
-Të ngrihen rrjetet e edukatorëve bashkëmoshatar në shkolla si një mënyrë efikase e testuar në botë për parandalimin e rasteve të abuzimit seksual. Ky objektiv është i parashikuar edhe në Planin e Veprimit të Rinisë 2015-2020.
-Të rritet efektiviteti i punës të strukturave shtetërore të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, për t’u gjendur më pranë problemeve të ndjeshme qe kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve.
-Të ndërmerret menjëherë një fushate kombëtare sensibilizimi mbi të gjitha format e dhunës, duke targetuar adoleshentët dhe denoncimine rasteve aktuale.
Vetë anëtarët e Rrjetit “Zëri i të Rinjve” angazhohen në ndërmarrjen e nismave për respektimin e të Drejtave të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues për të siguruar të rinjve dhe të rejave një jetë me mirëqenie të plotë mendore, fizike dhe sociale.

Article Logic
Execution time: 0.0031511783599854