INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
A mund të rikthehet diktatura në Shqipëri?

A mund të rikthehet diktatura në Shqipëri?

Publikuar më: 11:49 25-07-2018

A mund të rikthehet diktatura në Shqipëri? Kur një ambasador gjerman në Shqipëri po merrte pjesë në një takim mbi komunizmin në Tiranë, një studente e pyeti: Pse thoni që nëse nuk flasim për të kaluarën komuniste, diktatura mund të rikthehet. A ekziston mundësia të rikthehet nazizmi në Gjermani? Ambasadori me qetësi tha: Padiskutim që ekziston mundësia dhe rreziku është çdo ditë. Por në Gjermani janë shumë organizata alerte pro demokracisë që nuk lejojnë që kjo të ndodhë. Po kështu dhe qytetarët janë shumë të ndërgjegjësuar. Për kujtesë, çfarë ishte diktatura që përjetuam ne shqiptarët? Ishte një sistem i përbërë nga një komandant, një byro, një staf me servilë, një parti që drejtonte dhe vendoste për gjithcka, një kastë e pasur, që jetonte në bllok me gjithë të mirat, dhe populli nga ana tjetër i zhytyr në mjerim. E për të mos lejuar popullin të ngrihej e të reagonte për çdo pabarazi e padrejtësi ishte mbjellë përmes propagandës frika e terrori në palcë për të mos folur, për të mos shprehur asnjë mendim. Kini parasysh, asnjë diktaturë nuk është vendosur brenda një dite. Por pak nga pak. Me dhunë e propagandë nga lart dhe miratim në heshtje nga poshtë.. Ne pretendojmë se kemi fituar lirinë e të shprehur që 28 vite më parë kur demokracia erdhi në Shqipëri. Por kjo liri sot është cënuar në ekstrem. Shqiptarët janë të trembur. Janë të frikësuar se mos humbasin atë që kanë. Ata që janë në administratë nuk guxojnë të thonë asnjë mendim për çfarë nuk shkon në këtë vend, as ta shprehin në mediat e tyre sociale. Jo se i sheh qeveria çfarë shkruajnë, por janë pikërisht kolegët e punës, miqtë (spiunët modernë) që raportojnë të shefi i sektorit, apo drejtori, dhe ky i fundit ka mundësi të jetë 99 % një njeri i emëruar nga partia. Po ata që janë në privat përse kanë frikë? Përse nuk guxon askush të flasë e të protestojë për të drejtat e veta, për taksat, për pabarazinë në tendera e gara biznesi? Edhe ata kanë frikë. Nëse je në biznes ta gjejnë anën, të sjellin tatimet çdo ditë te dera. Edhe i rregullt të jesh, po të dojë shteti të kap. Ti sheh si biznesi yt falimenton nga gjobat, nga presionet, dhe tjetri biznes konkurent që është me qeverinë lulëzon. Atëherë i thua vetes: Po mua ç'më duhet! Nëse duhet të ruaj këto që kam, më mirë të shoh punën time. Atëherë duhet të reagojnë gazetarët. Po gazetarët ku hanë bukë? Nëse një gazetar punon në një media ku pronari ka marrë një tender të majmë nga qeveria, a mund të shkruajë çfarë të dojë? A mundet ky gazetar të dalë si qytetar në protesta kundër qeverisë? Absolutisht jo, se humbet punën. Sepse këtu fatkeqësisht mbijetesa varet nga një vend pune. Po a kemi ne një shoqëri civile që ka fuqinë të ngrejë njerëzit në këmbë që të mos e lejojë që rikthimi i diktaturës të mos ndodhë? Shoqëria civile këtu është inekzistente, ose politikisht e njëanshme. Është për të ardhur keq që janë hedhur miliona para nga donatorët për të patur një shoqëri civile të pavarur dhe të etur për të reaguar për cdo shkelje ligjore, për të mbrojtur të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës e të shprehjes. Opozitën nuk ia vlen ta zëmë në gojë, pasi njësoj ka vepruar kur ka qenë në pushtet. Thjesht këtu për 27 vjet kanë ndërruar vendin të njëjtët njerëz që as vetë nuk e kuptojnë çdo të thotë demokraci dhe çdo të thotë të dëgjosh zërin e qytetarëve. Sot beteja për teatrin ka nxjerrë në pah probleme të një sistemi që çalon, të një sistemi në dukje demokratik, por i frikshëm dhe autoritar. Një propagandë u ushqye në media për të përçarë kundërshtarët dhe për të shuar një nga një zërat që janë kundër shembjes së teatrit. Disa u joshën dhe u rekrutuan. Nuk u ftuan që të jepnin mendimin e tyre, por thjesht u ftuan të hedhin firmën për një vendim të marrë kohë më parë nga qeveria. Protestuesit e vërtetë e të pakorruptueshëm u lanë vetëm, në minorancë e të papërfillur. Ata që protestojnë janë intelektualë dhe jo militantë partiakë. Ata nuk kanë asnjë interes direkt të lidhur me shembjen apo ndërtimin e një teatri të ri. Për herë të parë shohim njerëz të artikuluar që protestojnë pa dhunë, por me argumenta përse nuk duhet prishur ajo ndërtesë. Ata duken pak, por fakti që për herë të parë protestohet për një çështje pa anjë prapaskenë politike për të rrëzuar pushtetin, është një tregues se këtu ka njerëz që mund ta ndalin vendosjen e një shteti autokratik. Ajo që ata kërkojnë është thjesht respektimi i ligjit, i kushtetutës dhe dëgjimi i zërit të qytetarëve. Është një frymë që po krijohet dhe që nuk ka nevojë për liderë partiakë. Është fryma qytetare që nuk mund të tolerojë më talljet, shkatërrimet, mashtrimet, vjedhjen, korrupsionin dhe forcën e kartonave të imponuar nga gjithë forcat politike që kanë drejtuar këtë vend.

Falenderojmë Eva Kushova për shkrimin e publikuar në intv.al.

Article Logic
Execution time: 0.003216028213501